Qeveria kursen 5 milionë euro nga fondet e ndihmës ekonomike në 6-mujorin e parë
Në gjashtëmujorin e parë të vitit qeveria ka kursyer 654 milionë lekë (5 milionë euro) nga fondet e programuara të ndihmës ekonomike.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave ishin parashikuar për tu shpenzuar 9,9 miliardë lekë si ndihmë ekonomike për familjet në nevojë, por në fakt janë disbursuar 9,3 miliardë lekë.
Kjo shumë ishte 6,6% më e ulet se plani i periudhës dhe 3.3 për qind më e ulet se fakti i një viti më parë.
Sipas shpjegimeve zyrtare ulja e shpenzimeve buxhetore në këtë zë erdhi për shkak të reformimit të skemës së ndihmës. Familjet dhe individët që përfitojnë ndihmën selektohen sipas nnjë formule të re pikëzimi, e cila hyri në fuqi këtë vit.
Reforma synon që ndihma ekonomike të përfitohet nga 10 për qind e popullsisë në ekstremin e poshtëm të varfërisë. Deri me 2016 ishin të përfshira 180 mijë familje në skemë, por me aplikimin e skemës së re numri i tyre do të jetë shumë më i ulët.
Aplikimi i saj ngjalli debate, pasi shumë familje edhe pse në nevoja ekstreme u përjashtuan nga ndihma shtetërore.
Masat e kursimit, të cilat qeveria ka aplikuar nëpërmjet arkës së shtetit vitet e fundit kanë përfshirë edhe fondet e ndihmës ekonomike. Edhe pse INSTAT konfirmoi nëpërmjet anketës së buxhetit të familjes së pabarazia vend është rritur më 2016, fondet që qeveria ka akorduar në formën e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë kane pësuar ulje.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në vitin 2017 fondet për ndihmën ekonomike ishin sa 1.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, në raport me 1.4 për qind që ishte ky tregues në vitin 2016.
Duke parë ecurinë e shpenzimeve buxhetore për të varfrit në 24 vitet e fundit verifikohen disbalanca të mëdha nga vit në vit, ndryshe nga zërat e tjere të shpenzimeve që në përgjithësi janë në trajektore konstantë rritjeje ose ulje.
Fondet për ndihmën ekonomike kulmuan në vitin 2014 me 1.6% të PBB-së, ky ishte viti i parë kur qeveria socialiste rimori pushtetin pas 8 vitesh në opozite. Ky ishte niveli më i lartë i shpenzimeve të akorduara me PBB që nga viti 1994.
Fraksion.com