Trajkoviq kundër ndarjes së veriut; Serbët në jug do të zgjidhnin eksodin
Politikanja serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq, ka dalë ashpër kundër propozimit të presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve.
Një seri postimesh në rrjete sociale dhe duke iu përgjigjur ambasadorit austriak Petrisch, i cili këto ditë publikisht ka përkrahur planin e Thaçit për korrigjim të kufijve, Trajkoviq thotë se “çfarëdo ndarje apo korrigjimi i kufijve do të lë shumicën e popullatës serbe të Kosovës në jug të lumit Ibër me një zgjidhje të vetme – eksodin”.
Kështu Trajkoviq, që ka pasur funksione edhe gjatë pushtetit të Millosheviqit në Kosovë, thotë se “të gjithë ata që veprojnë në terren në Kosovë e dinë këtë” se pas një marrëveshje të mundshme në mes Thaçit dhe Vuçiqit për korrigjim të kufijve, rreth 70 mijë serbë nga Graçanica, Shtërpca dhe komunat tjera jugore do ta lëshojnë Kosovën.
Trajkoviq akuzon dy presidentët, e Kosovës dhe Serbisë se po “tentojnë të provokojnë dhunë të koordinuar për shkak se i kanë regjimet e dobëta dhe shumë të rrezikshme”.
Trajkoviq po ashtu përkrah edhe Ipeshkvin serb Teodosije, i cili këto ditë ka tërhequr vërejtjen që ndarja e Kosovës do t’i linte shumicën absolute të kishave serbe në “duar të shqiptarëve”.
Trajkoviq po ashtu akuzon ambasadorin austriak Uolfgang Petrisch, i cili është edhe ish i dërguar i BE-së për Ballkan, si të paguar të Vuçiqit.
Fraksion.com