AktualitetKosovaTë fundit

Selimi: Thaçi e ka nënshkruar marrëveshjen e tmerrshme me Serbinë

“I rrezikshëm, i keq dhe person që punon në favor të Serbisë”, po e quan presidentin Hashim Thaçi, deputeti i VV-së, Rexhep Selimi. Ai teksa ka folur për deklarimet e të parit të shtetit për korrigjim kufijsh, ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë. Por, që ai ‘zbulon’ se Hashim Thaçi është futur në një skenar të rrezikshëm, që përmes ‘mjegullës’ ta ‘shes’ një marrëveshje shumë të dëmshme për ndarjen etnike në Kosovë, në mes tij dhe Aleksandër Vuçiq, të cilën sipas tij po e mbajnë të fshehtë për opinionin. Ai paralajmëron veprime konkrete nga Lëvizja Vetëvendosje, për ndaljen e këtij skenari të Hashim Thaçit.

 “Mjegulla e njeriut më të rrezikshëm në Kosovë” – paralajmërimi për marrëveshjen sekrete Thaçi-Vuçiq

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi i ka komentuar deklarimet e presidentit Hashim Thaçi, i cili ka thënë se Lugina e Preshevës do të bashkohet me Kosovën. Për Selimin, nuk bëhet fjalë për bashkëngjitjen e kësaj pjese me Kosovën, por ‘një skenar i rrezikshëm për shitjen e një marrëveshje të rrezikshme në mes dy personave: Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiq’.

Deputeti Selimi, teksa ka folur për Insajderin, ka thënë se këto janë lojëra të rrezikshme nga një person i rrezikshëm, i cili sipas tij ka nënshkruar marrëveshje të fshehtë me Aleksandër Vuçiqin për ndarjen e brendshme etnike në Kosovë, dhe se qëllimi i tij është që përmes mjegullës ta shes një marrëveshje shumë të dëmshme për vendin. Selimi ka shtuar se Hashim Thaçi nuk është vetëm politikan i keq, por dhe politikan i rrezikshëm.

“Thaçi në këto deklarata po tregon edhe njëherë aftësinë e tij për ta mjegulluar gjithçka që ka të bëjë me raportin në mes Kosovës dhe Serbisë. Në fakt nuk bëhet fjalë në këtë moment as për këmbim territoresh, e as ndryshim kufijsh. Në këtë rast bëhet fjalë për marrëveshjen shumë të rëndë dhe të keqe që tashmë Thaçi e ka nënshkruar me Serbinë, dhe krejt çka po ndodhë tani është për ta mbuluar këtë marrëveshje. Lojërat e tilla vazhdojnë të mbesin lojëra të rrezikshme, nga një person i rrezikshëm që quhet Hashim Thaçi. U kemi paralajmëruar se kur bëhet fjalë për Thaçin, ai nuk është politikan i keq, por edhe një politikan i rrezikshëm. Ju kemi paralajmëruar për një epilog të tillë të Thaçit dhe Vuciqit.

Ai ka thënë se tashmë Thaçi e ka nënshkruar një marrëveshje të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës, të cilën po e mban sekret për opinionin.

“Ai tashmë është dakorduar me Vuçiqin që ta ndajë Kosovën për së brendshmi në dy entiteti etnike, duke dhënë premtime për implementimin e Zajednicës, dhe tashmë ai tenton që të jap mjegull përmes disa deklarata për ndryshime kufijsh e të ngjashme dhe shkëmbime territoresh e të ngjashme. Krejt çka po mundohet që të fsheh me këto deklarata të bujshme, është marrëveshja që ai e ka nënshkruar me Vuçiqin dhe po synon që ta mbajë sekret për opinionin”, ka thënë Selimi.

Selimi ka thënë se përmes kësaj marrëveshje, do të jetë vetëm fillimi i një problemi shumë të madh që Kosova dhe Serbia, do ta kenë në të ardhmen, dhe se kjo marrëveshje do të jetë epilog i karrierës së Hashim Thaçit, si politikan, dhe prolog i mbjellur i një problemi të madh për të ardhmen në mes dy vendeve.

“Thaçi po mundohet që t’i japë një epilog karrierës së tij, jo raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë. Përfundimi i karrierës së tij dhe i këtij procesi maratonik në bisedime, nuk po del të jetë epilog në raport me Serbinë, por prolog i një problemi shumë të madh që tashmë është mbjellur për të ardhmen. Pra, nuk themi epilog të bisedimeve, por prolog i raporteve shumë të rënda në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Rexhep Selimi për Insajderi.

“Hashim Thaçi është personi më i gabuar për përfaqësimin e Kosovës dhe më i duhuri për ta përfaqësuar atë në favor të Serbisë”, ka shtuar ai më tej.

Selimi ka shtuar për Insajderi, se nuk do të qëndrojnë duarkryq në këtë synim të Hashim Thaçit, dhe se Lëvizja Vetëvendosje do të ndërmarrë hapa konkret për ndalimin e këtij skenari.

“Ne do të vazhdojmë me oponentën tonë dhe do të vazhdojmë aktivitetet tona politike. Saktësisht cka do të bëjmë do ta dëshmojë koha. Ne zakonisht kemi asnjëherë nuk kemi qëndruar indiferent ndaj zhvillimeve qoftë në raport me Serbinë, qoftë me keqqeverisjet”.

Selimi gjithashtu ka thënë se në këtë moment duhet ndalimi i menjëhershëm i bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë, për siç tha ai ndalimin e një të keqe të madhe që pritet t’i vijë vendit.

“Lëvizja Vetëvendosje, qëndron nëpër të njëjtat pozicione dhe për fat të keq koha na ka dhënë të drejtë, për atë që e kemi paralajmëruar si rrezik. Do të donim që të na demantonte koha, por doli ashtu sic paralajmëruam. Bisedimet me Serbinë janë të padrejta, kur bëhet fjalë për ndërtimin e brendshëm të Kosovës. Kosova dhe Serbia nuk bisedojnë në kushte të barabarta për shkak se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet. Kosova vazhdon të mbetet inferiore karshi Serbisë. Prandaj, shpëtimi i vetëm në këtë raport është ndërprerja e menjëhershme e bisedimeve me Serbinë dhe kthimi i kursit të ecjes së Kosovës si shtet”, ka përfunduar Selimi.

Mundësitë për shkëmbime territoresh, i pati komentuar në muajin shkurt edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kurti teksa kishte dhënë një intervistë për median serbe ‘Danas’, kishte thënë se ideja për shkëmbime të territoreve është e rrezikshme dhe mund të prodhojë luftë të re

“Ka pasur ide të ndryshme për ndarje dhe ndërrim territoresh, mirëpo këto janë teza të dëmshme me pasoja të papërballueshme. Këto ide vijnë nga politikanë autoritarë në Serbi të cilët mendojnë që territori është pronë private e sundimtarëve e jo toka e qytetarëve të shtetit. Politikanët autoritarë nuk e pranojnë Republikën, sepse së pari s’e kuptojnë atë. Ata janë tregtarë mallrash. Për ta gjithçka është mall vlera e të cilit është e llogaritshme. Na kujtohet se si Millosheviqi e Tugjmani kanë tregtuar. Dhe në fund më shumë se ndarjen dhe ndërrimin e territoreve fitojmë ndarjen dhe përzënien e njerëzve e të popullatës. Të flasësh për ndarje dhe ndërrim territoresh do të thotë të përgatitesh për luftë të re. Të drejtat qytetare të barabarta dhe reciprociteti në të drejtat kombëtare, së bashku me zhvillimin ekonomik të fokusuar në punësim, sidomos të të rinjëve dhe grave, është rruga që do të na nxjerrë nga kriza dhe do ta mundësojë përparimin”, kishte thënë kohë më parë Albin Kurti.

Të rrezikshme këtë ide e kanë thënë edhe shumë politikanë vendorë, përfshirë edhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Ai një ditë më parë ka thënë se shkëmbimi i territoreve i sjell favore vetëm presidentit rus, Vladimir Putin.

“Nuk ka asnjëri që dëshiron lëvizjen kufijve, vetëm njërit i shkon, ai është Vladimir Putin. Ai ka dëshirë m’i lëvizë në Bosnjë, që të përfitojë precedent. Është gabim që ne t’i ndihmojmë Putinit për ndarje dhe lëvizje”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij me Serbinë nuk luan kufiri asnjë metër. “Nuk guxon askush të luaj kufij, të tentojë të bëj korrigjim të kufirit, të shkëmbejë territore”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se bëhet fjalë për një retorikë publike për kufij. “Kontrata jonë është Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Nuk guxojmë të krijojmë Kushtetutë të re”, ka theksuar ai.

Kurse, mundësinë që Lugina e Preshevës të bashkohet me Kosovën, e ka ‘demantuar’ edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Ai gjatë ditës së sotme e ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi, se po e përdor këtë çështje për interesa të tij personale.

Por, përkundër këtyre, presidenti Thaçi, po vazhdon që të jetë këmbëngulës, që nuk do të ketë ndarje të Kosovës, por vetëm korrigjim të kufijve, e që sipas tij do të thotë:’Bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovë”.

 

Fraksion.com