A do ta blejë Kina Portugalinë?
Kur ishte trojka ajo që përcaktonte fatet e Portugalisë, Kina bleu masivisht sipërmarrje portugeze. Tani ajo do të blejë krejtësisht prodhuesin më të madh të energjisë në vend. A kërcënon varësia ekonomike dhe politike?
Investime strategjike
Shëtitja për pazar e Kinës nëpër Evropë ka shkaktuar kritika edhe në vende të tjera: në Gjermani për shkak të gllabërimit të sipërmarrjeve me rëndësi kyçe në sektorin e robotëve, të automjeteve dhe në fushën e mjekësisë, në Greqi për shkak të blerjes së portit të rëndësishëm të Pireut. Po qeveria që gjithmonë ka pak para e shtetit të krizës Portugali gëzohet për shiringat financiare nga Pekini – veçanërisht që kur ato e ndihmuan vendin në fundin perëndimor të Evropës të kalonte kohën e vështirë të trojkës. Në këtë kohë Kina u bë aksionere si askush tjetër në sipërmarrjet e Portugalisë dhe bleu – kur nuk e bëri askush – borxhe shtetërore portugeze.
Sot shoqëria e sigurimeve Fidelidade është pronë e koncernit kinez Fosun, njësoj si Luz Saude, sipërmarrje që është operatore e klinikave private. Fosuni kontrollon edhe një të katërtën e Millenium-BCP-Bank. Haitong bleu për rreth 400 milionë bankën e investimeve BESI. Grupi kinez HNA është partneri i vogël i shoqërisë së fluturimeve TAP. Operatori portugez i energjisë elektrike REN që prej trojkës i takon në një të katërtën State Grid International kineze.
A kërcënon varësia ekonomike?
Ndërhyrjet kineze janë shumë masive, mendojnë disa ekspertë të ekonomisë. “Ekonomikisht nuk ka kuptim kur prodhuesi më i madh i energjisë së vendit të kontrollohet nga vetëm një aksioner”, thotë profesori i ekonomisë Joao Duque. Edhe më e habitshme është që qeveria portugeze nuk po ndërmerr asgjë kundër përpjekjes për përthithje.
Para së gjithash, kur një vit më parë, kur shoqëria e fluturimit TAP do t’i shitej një konsorciumi amerikan, qeveria portugeze tërhoqi frenën e emergjencës dhe i mbajti për vete 50 përqind të aksioneve. Kështu që heshtja në rastin e EDP-së mund të ketë vetëm arsye politike. Qeveria portugeze e sabotoi shitjen e një televizioni privat investorëve francezë, në një kohë që nuk e kundërshtoi blerjen e 30 përqind të koncernit të madh portugez mediatik Global Media nga një investor nga Macau, që u bë kështu aksioner kryesor.
Për shkak të varësisë nga investimet, Portugalia mund të ketë kaluar në një gjendje ku i bëjnë shantazh politik, druhet specialisti i ekonomisë, Joao Duque.
Por megjithatë nuk është e qartë nëse përthithja e EDP nga kinezët do të ketë sukses. Edhe amerikanët duhet të japin së fundi pëlqimin e tyre, për shkak të aktiviteteve në SHBA të koncernit./DW
Fraksion.com