Pazari i tokave Thaçi-Vuçiç, loja me zjarrin që mund t’i djegë të gjithë!
Nga Skënder Minxhozi
Është përhapur si një shi i rrëmbyeshëm vere skenari i një ndryshimi të dytë të kufinjve të Kosovës, 12 vjet pas fitores së pavarësisë nga Serbia. Dhe në qendër të këtij debati të çuditshëm ka dalë hapur dhe me vullnet të plotë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Personi më i ekspozuar në heqjen e vijës së parë kufitare të shtetit më të ri në Evropë, 19 vjet më parë, në pranverën e vitit 1999.
Por teksa kufinjtë evropianë vizatoheshin asokohe me anë të një lufte masive mes SHBA, Britanisë së Madhe e vendeve të tjera perëndimorë në një anë, e Serbisë në anën tjetër, ky rivizatim i mundshëm “në qiell të kthjellët” nuk ka asgjë nga drama dhe solemniteti i asaj kohe. Përkundrazi, duket si një hile nga ato që s’dihet pse janë shfaqur dhe që nuk dihet se kush i ka sponsorizuar nga poshtë tavolinës.
Dalja e Hashim Thaçit me tezën e “korrigjimit kufitar me Serbinë”, do të kishte pasur efektin e një krisme arme në një koncert vite më parë. Siç thotë me të drejtë analisti amerikan Serwer, diçka e tillë do të kishte qenë thjeshtë e pamendueshme nën administratat Klinton dhe Obama. Në fakt nisma për një ndryshim kufinjsh mes Kosovës e Serbisë bie ndesh me të gjitha parimet bazë që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe në mesin e Luftës së Ftohtë, dy blloqet ushtarake përplaseshin nëpër skutat më të largëta të globit, por në Europë sundoi një statu quo e plotë kufinjsh. Asgjë nuk lëvizi, megjithëse pas qëndronin bombat atomike!
Edhe lindja e shtetit kosovar, siç e di shumë mirë presidenti aktual Hashim Thaçi, ka avancuar përmes një skepticizmi të thellë të një pjese të shteteve të sponsorizuara nga Rusia, të cilat ngrinin zërin për shkeljen e parimit të mosndryshimit të kufinjve. Është folur me të drejtë gjerë dhe gjatë për karakterin krejt specifik e të papërsëritshëm të “ndërhyrjes humanitare”, siç u quajt sulmi i NATO-s mbi Serbinë e Millosheviçit. Sepse u desh vërtet një kalvar luftrash dhe konfliktesh, me miliona të shpërngulur e qindra mijë viktima, që SHBA të lëviznin për të goditur shkaktarin kryesor të kësaj tragjedie njerëzore në rajonin tonë.
Nisma aktuale e përfolur në prag të dialogut Kosovë-Serbi, ka shumë pak nga këto “ingrediente”. Fjalët e Thaçit, heshtja e Haradinajt (por edhe e Ramës), qëndrimi mëdyshës i kancelarive kryesore, Uashingtonit dhe Brukselit, veçse e mbushin edhe më tej me mister dhe moskuptim, këtë lëvizje që bie ndesh me të gjitha kanunet e diplomacisë së sotme. Aq më tepër, kur gjithçka vendoset në një teatër eksploziv si Ballkani, ku termi “ndryshim kufinjsh” është historikisht sinonim i togëfjalëshit “konflikt global”.
Nuk dihet nëse Thaçi dhe Vuçiç do të lejohen për të nisur një dialog mbi bazën e parimit të shkëmbimit të territoreve. Kur sheh sesi Prishtina ende vijon të mos ja dalë të bjerë dakord me Malin e Zi për disa kullota në kufirin mes dy vendeve, të vjen të qeshësh sesi një armë kaq delikate mund t’u lihet në dorë dy burrave që kanë kaq shumë mosbesim, paragjykime dhe urrejtje mes tyre. Dikush thotë se kjo është një nismë e re e administratës Trump, duke e bazuar hamendësimin në alergjinë që vetë presidenti amerikan ka për dogmat diplomatike dhe piketat tradicionale në marrëdhëniet mes shteteve. Dikush tjetër supozon se në këtë Pazar ka futur hundët edhe Brukseli dhe Moska, por mbetet e vështirë të lexohet se ku të nxjerr një lëvizje e tillë.
E sigurt është që nëse Kosova dhe Serbia do t’ja arrijnë të shkëmbejnë territore mes tyre, duhet të presim, parimisht, që kjo saraçineskë e hapur të prodhojë një reaksion të frikshëm zinxhir. Duke nisur fare pranë me Kosovën: Maqedonia, Bosnja, e potencialisht shumica e shteteve evropiane, të cilat kanë sakrifikuar në një moment të historisë së tyre një krahinë, një lum apo një mal në dobi të fqinjit. Rivënia në diskutim e territoreve në Evropë, është kryer historikisht përmes luftrave. Është luftuar, pastaj është marrë harta e janë vizatuar kufinjtë e paqes së re. Të shpresojmë që me një pazar eventual tokash mes Beogradit dhe Prishtinës, të mos ndodhë e kudërta: të ndryshohen në fillim kufinjtë e më pas të plasë lufta…
Fraksion.com