AktualitetPolitikëTë fundit

Meta: Të restaurohet Teatri ekzistues dhe të ndërtohet një i ri

Presidenti Ilir Meta, sot në një intervistë për Televizonin TV1 Channel në Shkodër, ka folur për debatin e krijuar pas kthimit në Kuvend të dy ligjeve: ligjit “Për Teatrin” dhe atij “Mbi tatimin mbi të ardhurat”.

Ai jep dhe një propozim.

“Kur ekziston vullneti i mirë, absolutisht që mundësia është për të restauruar dhe për të mirëmbajtur Teatrin ekzistues dhe për të ndërtuar një Teatër të ri”, tha Meta në një intervistë dhënë për Televizonin TV1 Channel në Shkodër.

“Pa dyshim që Tirana si kryeqytet që është shtuar disa herë në numër në këto tre dekada ka nevojë për Teatër të ri, ka nevojë për qendra të reja të zhvillimit të kulturës, të artit. Të gjitha këto mund të ndodhin absolutisht duke respektuar Kushtetutën dhe legjislacionin aktual në fuqi në vendin tonë”, u shpreh Presidenti.

Meta theksoi se ruajtja e gjithçkaje që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore, historike, muzeale, është një detyrë e të gjithëve.

“Për fat të keq ne në të kaluarën ne nuk jemi treguar shumë të kujdesshëm ndaj ruajtjes së këtyre vlerave dhe kemi dëmtuar shumë prej tyre. Po kështu historia e shtetit tonë nuk është shumë e vjetër dhe kemi nevojë që të jemi shumë e më të vëmendshëm dhe të ndërgjegjshëm për çdo vlerë kulturore, historike e muzeale që ne kemi nga e kaluara”, tha ai.

Ndërkohë, kur po bëhet një vit nga fillimi i detyrës si President, Meta u shpreh se numri i ligjeve të kthyera janë vetëm tre.

“Një për “Tarifat gjyqësore”, për të cilën u reflektua nga Kuvendi dhe që ishin në interes të qytetarëve, pasi tarifat rriteshin shumë, ishin mjaft të papërballueshme dhe rrezikonin që qytetarët për shkak të tarifave të larta, të mos ndiqnin të drejtat e tyre nëpër procese gjyqësore të rregullta. Natyrisht kemi dhe dy aktet e fundit; që shkurtimisht quhen “Për Teatrin” dhe “Lojërat e Fatit””, tha Presidenti.

 

Fraksion.com