AktualitetEkonomiTë fundit

Impiant i ri 100 milionë USD për pasurimin e xeherorëve në Devoll

Pranë fshatit Kapshticë, në njësinë administrative Bilisht, pjesë e Bashkisë së Devollit, pritet të marrë jetë një projekt i rëndësishëm i sektorit minerar.

Investitori, që në këtë rast është “Albanian Nickel Group”, ka kërkuar së fundmi marrjen e një leje mjedisore të tipit B, për ndërtimin e një impianti të pasurimit të xeherorëve të Hekur-Nikelit dhe Nikel-Silikatit.

Ky hap nuk është i pari i kompanisë, e cila, të paktën në pesë vitet e fundit, është angazhuar me studimin e zonës, kryerjen e shpimeve, si dhe hulumtimin e teknologjive më eficiente.

“Që në fazën e parë, para pesë vitesh, ishim ne që bëmë shpimet sipas lejes së eksplorimit dhe në bazë të të dhënave që morëm, bëmë dhe një analizë sesa ishte sasia. Kemi siguruar në atë kohë lejet e nevojshme për eksplorim dhe pak shfrytëzim sipas kushteve që kemi pasur. Paralelisht kemi çuar dhe disa studime në Kinë para dy vitesh për të parë edhe teknologjinë që do të përdorim këtu.

Pra, ishte një pilot test dhe teknologjia u aplikua në një test me shkallë më të ulët, pra prodhohej 3-4 kilogramë nikel, ndërsa këtu do të prodhohet 3000 kilogramë. Impianti do të përpunojë hekur-nikel dhe nikel-silikat, të cilat merren të dyja bashkë. Teknologjia që do të aplikohet do të jenë të funksion të marrjes së një përqindje sa më të lartë të nikelit, sepse çmimet për të janë më të leverdishme dhe kanë ardhur në rritje. Hekuri ka një çmim më të ulët, por sigurisht pjesa që do të mbetet nga ky metal do të përpunohet dhe do të shitet edhe ai.

Rezervat e verifikuara janë diku te 40-50 milionë tonë të llogaritura sipas shpimeve tona. Bëhet fjalë për të gjithë zonën e Bitinckës, ku kanë qenë dhe ish-minierat ekzistuese”, – shprehet Realdo Mansaku, zëvendësdrejtor i GR Albania, që ka kryer edhe studimin mjedisor për impiantin.

 

Dy alternativa për investimin, mes 105 dhe 180 milionë USD

Përfaqësuesi i kompanisë nënvizon se plani i biznesit i kompanisë është hartuar bazuar në dy situata, kur përqindja e nikelit është 1.2 dhe 1.3. Po kështu, dy janë edhe variantet për investimin. “Janë menduar dy alternativa, në bazë edhe të kapacitetit që do të ketë impianti. Varianti i parë është që ai të kushtojë 105 milionë dollarë, nëse do të përpunohen 240 mijë tonë hekur-nikel bashkë. Kurse nëse shfrytëzojmë një sasi 550 mijë tonë, kostoja e impiantit mund të shkojë rreth 160-170 milionë USD, kurse prodhimi në intervalin 2700 apo 2800 tonë nikel në vit. Pjesa tjetër e metaleve që mund të prodhohen janë kobalti, pasi edhe çmimet për të janë rritur, por edhe të tjera”, nënvizon Mansaku.

Referuar dokumenteve zyrtare “Albanian Nickel Group” është një joint-venture mes dy kompanive, “Green Metals Company” me 50% të aksioneve dhe “Cooperative Espero Mining and Trading” po me 50% të aksioneve. “Investimin po e bëjnë këto dy kompani, por sigurisht duke pasur parasysh përmasat e tij, ka pasur edhe kontakte me kompani ndërkombëtare, të cilave u është dorëzuar projekti”.

 

Ndikimi në punësim, tregjet që synohen dhe pse interes për nikelin

Edhe pse projekti është ende në letër, kompania që ka aplikuar për të marrë lejen e radhës, ka përfunduar me një pjesë të mirë të hallkave të tjera që lidhen me marrëdhënien e saj tregtare, burimet njerëzore, ndërkohë që është në kërkim të financimit.

“Nga projekti që ne kemi presim që, një pjesë e mirë e punonjësve të jenë profesionalë, kryesisht inxhinierë dhe pjesa tjetër punonjës të thjeshtë. Aktualisht, nga të dhënat paraprake që kemi analizuar, numri i stafit llogaritet në 200, ku pjesa më e madhe do të jenë nga komuniteti. Për sa i përket pjesës së financimit të impiantit, jemi duke negociuar me bankat ndërkombëtare të zhvillimit, për të siguruar mbështetjen, pasi edhe kushtet që ofrohen prej tyre janë më të favorshme.

Projekti sot rezulton më shumë se fizibël, me çmimin që ka nikeli në tregjet globale. Me aq sa e ndjekim ne ecurinë e çmimit, para 10 ditësh, ai rezultonte të ishte 14 mijë dollarë për tonë, ndërkohë që studimi ynë ka për bazë çmimin 13 mijë dollarë për ton”, – shprehet Mansaku. Ai konfirmon se Kina do të jetë tregu ku pritet që të bëhet eksporti, sapo impianti të jetë finalizuar dhe të nisë punën.

 

Miniera e Bitinckës dhe rajoni juglindor

Zona e Bitinckës në Devoll është e njohur për rezervat e saj të hekur-nikelit dhe nikel-silikatit. Ajo ka qenë një zonë aktive minerare, me miniera të cilat kanë qenë në shfrytëzim që para viteve ’90. Pas një periudhe tranzicioni, edhe në sektorin minerar interes për këtë zonë u shfaq pas viteve 2000. Konkretisht, në vitin 2002, u dha me koncesion miniera e nikelit në Bitinckë. Mineralet e kësaj zone, eksportoheshin drejt Maqedonisë, konkretisht Uzinën e ferro-nikelit në Kavardarci-Maqedoni.

Për zonën ka pasur interes nga një sërë kompanish, të cilat kanë përfituar leje shfrytëzimi. Kryesisht zona juglindore e Shqipërisë, që përfshin edhe minierën e Bitinckës sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, është mbajtësja kryesore e rezervave të nikelit. Për rajonin juglindor, rezervat do të vlerësoheshin sipas një studimi të një dekade më parë, në 25 440 000 tonë për nikel-silikatin me rreth 1.20% Ni, dhe rreth 26 806 000 tonë hekur-nikel; për rajonin verilindor, nikel-silikat rreth 19 571 400 tonë me rreth 1.057% Ni, dhe rreth 10 285 100 tonë hekur-nikel.

Çmimet e nikelit, tre arsyet pse panorama duket pozitive për sektorin

Nikeli, të paktën në pesë vitet e fundit, ka pësuar luhatje të thella në çmimin e tregtimit në tregjet globale. Referuar ditëve të fundit, konkretisht 26 korrikut, çmimi i tregtimit të një toni nikel regjistroi nivelin 13 575, një rritje e lehtë në raport me javën e mëparshme. Tendenca rritëse ka nisur që nga maji i 2017-s, kur u regjistrua edhe rënia e parë më e madhe që nga ringritja nga pikiata e 2015 që vazhdoi edhe në vitin 2016.

Kjo rënie kulmoi në shkurt 2016, kur u regjistrua niveli më i ulët i shitjes i 13 viteve të fundit me 7725 dollarë/ton. Në atë kohë, shumë prej kompanive minerare nisën të bënin rivlerësim të aktivitetit të tyre, duke marrë parasysh edhe pushimin e përkohshëm të punës, duke qenë se operimi po bëhej me humbje.

Pavarësisht ecurisë pozitive që ka pasur çmimi në vitin 2017 dhe 2018 ende ky nivel mbetet larg atij të vitit 2014, kur çmimet kulmuan mbi 20 milionë dollarë/ton. Ky gjallërim i dedikohet një parashikimi pozitiv të bërë lidhur me kërkesën për nikel, si një element i rëndësishëm në tregun e automjeteve elektrike. Aktivizimi i Kinës për të importuar ka dhënë efektin e saj në rritjen e prodhimit. Ajo dyfishoi importet në tremujorin e dytë të 2018-s në raport me një vit më parë.

Vendin e Filipineve, si ish-eksportuesi më i madh i nikelit, e ka zënë tashmë Indonezia. Parashikimet e ekspertëve janë që çmimi i nikelit të përjetojë ditë të mira edhe në vijim, pasi janë një sërë faktorësh që transmetojnë këtë mesazh.

Së pari ka një zgjerim të deficitit të nikelit, pra kërkesës në treg dhe prodhimit real.

Së dyti, disa aktorë të mëdhenj të prodhimit janë angazhuar në kontrata afatgjata, me partnerë investimesh, duke lënë pak prodhim për tregun e lirë. Së treti, ka një “bum” te makinat eklektike, që pritet të mbajnë nikelin në kuota të kënaqshme tregtimi./Monitor

 

Fraksion.com