Gjermani: Afganasin e dëbuar gabimisht do ta kthejnë
Njëri nga azilkërkuesit, të cilin e larguan para një muaji me avion me 68 azilkëkues të tjerë në Afganistan do të kthehet në Gjermani. Kjo bëhet e ditur në disa medie.
Dokumentat e nevojshme janë gati, kthimi i 20 vjeçarit nuk pengohet më nga asgjë, u bë e ditur nga qarqe qeveritare. Të riun do ta dërgojnë fillimisht në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, ku ambasada gjermane do t’i japë një vizë të vlefshme për vazhdimin e udhëtimit për në Gjermani.
Që para dy javësh, Ministria Federale e Punëve të Brendshme bëri të ditur se Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF) do të niste së shpejti hapat e nevojshëm. Avokatja e burrit, Sonja Steffen reagoi e lehtësuar: “Mua m’u konfirmua që shteti ynë juridik funksionon dhe që gabimi i madh që u bë, tani po korrigjohet”, i tha ajo atëherë televizionit NDR.
Kthimin e përgatiti Organizata Ndërkombëtare e Migrimit, shpenzimet i mbulon BAMF-i, u bë e ditur.
Afganasin nuk duhej ta kishin dëbuar
I riu, që jetonte në Gjermani që prej vitit 2015, ishte njëri nga ata 69 vetë, që i kthyen në 3 korrik me një avion të posaçëm nga Mynihu në Afganistan. Dy javë më vonë u mësua që 20 vjeçarin nuk duhej ta kishin dëbuar, për shkak të një procesi gjyqësor në vazhdim e sipër në Gjykatën Administrative Greifswald. Ai kishte hedhur në gjyq refuzimin e kërkesës së tij për azil. Në javën pas dëbimit, refugjati duhet të kishte dalë para gjyqit./DW
Fraksion.com