Edogan kundërpërgjigjet ndaj sanksioneve amerikane
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi të shtunën masa ndërshkuese kundër Shteteve të Bashkuara, pas sanksionimit nga ana e Shteteve të Bashkuara të dy ministrave të lartë turq për ndalimin e një pastori amerikan.
Erdogan njoftoi masat gjatë një fjalimi të partisë së grave në Ankara. “Ne treguam durim deri në mbrëmjen e djeshme. Sot po i udhëzoj miqtë e mi që të bllokojmë pasuritë e sekretarëve amerikanë të drejtësisë dhe të sigurisë kombëtare në Turqi”, tha Erdogan. “Ata që mendojnë se mund ta bëjnë Turqinë të hedh një hap prapa duke përdorur gjuhë kërcënuese dhe sanksione absurde, tregojnë se nuk e njohin Turqinë”.
Të mërkurën, Uashingtoni sanksionoi Ministrin e Brendshëm turk Sulejman Soylu dhe Ministrin e Drejtësisë Abdulhamit Gul, duke bllokuar qasjen e tyre ndaj pasurive që kanë në SHBA. Sanksionet kanë të bëjnë me rolin e tyre në arrestimin e pastorit amerikan Andrew Brunson.
Brunson u lirua në arrest shtëpiak muajin e kaluar pas gati dy vjetësh burgim. Pastori është në gjyq për akuza spiunazhi dhe terrorizmi për lidhjeve të dyshuara me komplotistët e fajësuar për grushtin e dështuar të shtetit në Turqi në vitin 2016. Brunson përballet me 35 vjet burg.
Uashingtoni i hedh poshtë akuzat si të pabaza, duke akuzuar Ankaranë për marrje pengjesh.
Iniciativat diplomatike
Përgjigja e fuqishme e Erdoganit vjen ndërsa përpjekjet diplomatike po vazhdojnë. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu u takua të premten me homologun e tij amerikan, Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, në kuadër të takimeve të ASEAN në Singapor. Të dyja palët i cilësuan bisedimet si “konstruktive”.
Paraburgimi i Brunsonit nuk është pika e vetme e tensionit në marrëdhëniet mes SHBA dhe Turqisë. Mbështetja e Uashingtonit për një milici kurde siriane në luftën kundër Shtetit Islamik është dënuar nga Ankaraja, e cila e konsideron milicinë si një grup terrorist. Ankaraja gjithashtu refuzon të zbatojë sanksionet amerikane ndaj Iranit. Përveç kësaj, blerja e raketave ruse S-400 nga Turqia e ka tensionuar edhe më tej marrëdhënien.
Deri tani Erdogani ishte mbështetur në marrëdhëniet e tij politike me Presidentin Donald Trump për të menaxhuar mosmarrëveshje dypalëshe. Megjithatë, njoftimet ndërkombëtare dhe ato brenda vendit thonë se dështimi për të arritur një marrëveshje për të siguruar lirimin e Brunson ka dëmtuar këtë marrëdhënie.
“Ankaraja pa dashje e ka pozicionuar veten në një cep dhe ka humbur të vetmen pasuri, Presidentin Trump”, tha ish diplomati i lartë turk Aydin Selcen, i cili ka shërbyer në Uashington.
“Përse Ankaraja nuk është efektive në Kongres? Sepse ne nuk kemi më mbështetjen e lobit izraelit ,sepse nuk kemi marrëdhënie të mira me Izraelin. Për më tepër, Pentagoni, për shkak të mbështetjes së tyre për kurdët e Sirisë, i ka dëmtuar marrëdhëniet “, tha zoti Selçen.
Një artikull në internet të shtunën në gazetën kryesore të Turqisë, Hurriyet thotë se marrëveshja mes Trumpit dhe Erdoganit për të siguruar lirimin e Brunsonit dështoi për shkak të kërkesës së Turqisë që SHBA të përfundojnë hetimet e tyre në bankën shtetërore turke Halkbank. Pas disa orësh, artikulli u hoq nga faqja e internetit të gazetës. Pronari i gazetës ka lidhje të ngushta me presidentin turk.
Presioni ekonomik
Një gjykatë e Nju Jorkut dënoi më parë këtë vit një ekzekutiv të lartë të Halkbank pasi shmangu sanksionet amerikane kundër Iranit. Departamenti amerikan i Thesarit po shqyrton një gjobë kundër bankës, e cila mund të jetë shumë miliarda dollarë. Analistët po paralajmërojnë se kjo mund të godasë ekonominë e brishtë të Turqisë.
Tensionet e thella mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë po nxisin frikën e sanksioneve të mëtejshme nga Uashingtoni, në veçanti, ato që vënë në shënjestër sistemin financiar të Turqisë. Javën e kaluar tregjet financiare turke ranë ndjeshëm, me monedhën që shënoi rënie rekord.
Erdogani bëri thirrje të premten për mbrojtjen e monedhës turke duke konvertuar kursimet e huaja ose të arit në lira turke. Presidenti njoftoi gjithashtu se Turqia kishte marrë mbështetje financiare nga Kina.
Analistët paralajmërojnë se përpjekjet e tilla mund të jenë të pamjaftueshme për të paguar qindra miliarda dollarë hua të marra nga qeveria dhe sektori privat, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta për t’u paguar me një monedhë në rënie.
Mundësitë diplomatike gjithashtu mund të mbarojnë për Erdoganin. “Ashtu si Presidenti rus Vladimir Putin, Erdogani është një ekspert për të kuptuar dobësitë e kundërshtarëve të tij dhe për t’i shfrytëzuar ato,” thotë analisti politik Atilla Yesilada me organizatën Global Source Partners.
Vëzhguesit theksojnë, megjithatë, se Erdogani, i cili e portretizon veten si një njeri i fortë politik, kërkon të jetë i kujdesshëm për t’u mos u parë si i lëkundur ndaj kërcënimeve të Uashingtonit./VOA
Fraksion.com