AktualitetRajoniTë fundit

BE, Vuҁiq e Thaҁi bëjnë thirrje për qetësi në veri të Kosovës

Më 04.08 skadon afati për hartimin e draftit të parë të statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Prishtina zyrtare: jemi brenda detyrimeve tona. Beogradi: Prishtina nuk do ta formojë asociacionin.

Bashkimi Evropian kërkoi nga Prishtina dhe Beogradi që mos të ketë tensione në Kosovë, të cilat mund t’i dëmtojnë përpjekjet e përbashkëta për arritje të një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këtë deklaratë BE-ja e bëri pas raportimeve në media të ndryshme, sipas të cilave gjatë fundjavës mund të ketë tensione në veri të Kosovës, në kohën kur skadon afati për hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe “mundësia që serbët të shpallin në mënyrë të njëanshme një lloj autonomie në veri”. Ekipi menaxhues për hartimin e draftit të parë të statutit të asociacionit, këtë fundjavë duhet të informojë Brukselin për rezultatet e punës së tyre.

“Në kohën kur të dyja palët janë plotësisht të angazhuara së bashku me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, në përcaktimin e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese për normalizimin e plotë, BE pret ashtu siç janë dakorduar të dy presidentet gjatë takimit të fundit në nivelit të lartë të dialogut më 18 korrik në Bruksel, të mos ketë tensione në terren, që mund do ta rrezikojnë objektivin e përbashkët të normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në një komunikatë për media nga zyra e Përfaqësues së Lartë të BE-së Federica Mogherini. Kjo e fundit kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun Kosovë-Serbi.

“Ne e kuptojmë se puna për draftin është duke vazhduar. Në të njëjtën kohë BE vazhdon të punojë me të dyja palët për të siguruar zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në komunikatën nga zyra e Moghernit.

Me një letër të hapur serbëve të veriut të Kosovës ju drejtua edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “përderisa ai të jetë në krye të shtetit të Serbisë, nuk do të lejojë dhunë të organizuar mbi serbët dhe shenjtërit e tyre, as përndjekjen e tyre”.

“As kësaj here Prishtina nuk do të lëvizë as gishtin për të formuar Asociacionin e komunave serbe. Unë i lus qytetarët serbë që të mos ndërmarrin asgjë, sepse këtë mund ta shfrytëzonin shqiptarët ose një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare si pretekst për të ndërmarrë çfarëdo aksioni ndaj tyre. Ruajtja e paqes në Kosovë është detyrë parësore e NATO-s prej së cilës pres dhe kërkoj që ta ruajnë paqen në atë mënyrë që të pengojnë çfarëdo tentimi eventual të kujtdo dhe me çfarëdo preteksti që ta marrin dhe ta grabisin hidro-centralin “Gazivoda” (Ujman) në veri dhe trafo-stacionin “Vallaç”, ose cilindo objekt kyç infrastrukturor prej të cilit varet mbijetesa e serbëve”, citon transmetuesi publik serb Presidentin e Serbisë.

Aleksandër Vuçiq është shprehur, se “për hir të paqes e stabilitetit do të angazhohet për zgjidhje paqësore dhe kompromis të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”

Për zgjidhje paqësore dhe për arrritje të një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, angazhohet edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Në një deklaratë për media Thaçi thotë, se “Kosovva do t’i përmbahet zotimeve të dhëna.”

“Gjatë këtij rrugëtimi të domosdoshëm për sigurimin e paqes afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, Republika e Kosovës do t’i përmbahet me përpikmëri zotimeve për të ruajtur qetësinë dhe për të mos rrezikuar në asnjë mënyrë objektivin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Pas krijimit të Ekipit Menaxhues, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të finalizojnë punën në hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, bazuar në marrëveshjet e arritura më 2013 dhe 2015 në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thotë Presidenti Thaci, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe palëve të përfshira në këtë proces, që të përmbahen nga çdolloj provokimi dhe të ruajnë qetësinë në një kohë shumë të rëndësishme për Kosovën.

Në të njejtën linjë u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës për ta diskutuar situatën e fundit nga raportimet për tension të mundshëm në veri të Kosovës.

“Sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Kosova është brenda detyrimeve të veta, që nënkupton më datë 4 gusht është afati kur dorëzohet transkripti i grupit punues për draftstatutin. Kjo është dinamika kohore. Pra, grupi punues mund ta dorëzojë transkriptin për punën për draft-statutin. Ne qëndrojmë brenda obligimeve, nuk kemi dalë nga obligimet qofshin në dialog, pra nga obligimet në Brukselit, por as nga Kushtetuta dhe ligjet tona. Procedura nga marrëveshjet në Bruksel parasheh që kjo të bëhet para palëve, në këtë rast edhe para BE-së, edhe para palës serbe, edhe para palës së Kosovës, në këtë rast shefit të negociatave. Kështu që ne kur e marrim transkriptin, ne japim kontributin tonë, por edhe duhet të sigurohemi që është brenda ligjeve dhe Kushtetutës së vendit”, shprehet në një deklaratë për media Haradinaj. Por në të njetën kohë, ai paralajmëron që “askush nuk ka të drejtë të ndërmarrë veprime të njëanshme.”

“Nëse dikush do të merrte ndonjë veprim të njëanshëm, atëherë ai veprim është jashtë ligjeve të Kosovës, edhe jashtë marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ai veprim do ta merrte përgjigjen e organeve të rendit dhe të ligjit. Një veprim i tillë do ta marrë përgjigjen e organeve të rendit dhe ligjit. Pse? E përsëris edhe njëherë. Kosova është brenda marrëveshjes ndërkombëtare, pra ka respektuar obligimin e marrëveshjes ndërkombëtare dhe Brukselin, respekton ligjet e veta dhe Kushtetutën e vet. Nëse dikush del jashtë edhe marrëveshjeve ndërkombëtare në këtë rast, edhe ligjeve të Kosovës, atëherë ligji do të veprojë me seriozitetin e vet, e këtu nuk ka dilemë. Nëse dikush ka dilema këtu, gabohet, pra do ta marrë përgjigjen e vet”, thotë Haradinaj.

Haradinaj, thotë se ka informacione që persona të caktuar të dyshimtë po qarkullojnë në Veri të Kosovës, persona këta që, sikurse thotë, “mund të jenë nga Republika Serbska ose nga zonat e tjera”.

“Kushdo që hyn brenda territorit të Kosovës, me qëllim qoftë të shkaktimit të ndonjë incidenti, prishjes së rendit dhe të ligjit, do ta marrë reagimin e institucioneve të rendit dhe të ligjit. Këtu s’do të ketë dilema”, shprehet Haradinaj.

Sidoqoftë, situata e sigurisë në veri të Kosovës tash për tash paraqitet e qetë, ndërsa, mediet raportojnë për një prezencë të shtuar edhe të trupave të KFOR-it në veri të Kosovës./DW

 

Fraksion.com