AktualitetBota+Të fundit

Turqia dhe Evropa: Në kërkim të përbashkësive

Po të vijë në vjeshtë për vizitë në Gjermani Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, do të ketë shumë probleme për të diskutuar me mikpritësit. Sfidat vërtet të mëdha mund të zgjidhen vetëm me përpjekje ndërkombëtare.

 Rreth katër milionë njerëz nga Siria ka pranuar Turqia aktualisht; marrëveshja e BE me Turqinë luan në këtë kuadër një rol të madh. Që prej shkurtit 2016 sirianëve u lejohet të punojnë në Turqi. Kjo ka bërë që shumë prej punëve të thjeshta, me paga të ulëta që kryheshin më parë nga vendasit, tani bëhen nga sirianët. Refugjatët bënë edhe që qiratë të rriten, para së gjithash në lindje të Turqisë. Nga ana tjetër, refugjatët sirianë në bazë të të dhënave zyrtare kanë investuar tashmë mbi 330 milionë dollarë në ekonominë turke – për shembull për të ngritur sipërmarrjet e tyre. 6000 të tilla ekzistojnë tashmë.

Megjithatë refugjatët nuk kanë mundur ta bëjnë deri tani për vete Turqinë.”A është vendi ynë kuzhinë popullore? Vendi im është plot të papunë”, tha në fushatën elektorale për zgjedhjet presidenciale në Turqi sfiduesi i Erdoganit, Muharrem Ince nga Partia Popullore Republikane (CHP). Kundër Erdoganit ai nuk pati shans, por arriti në vendin e dytë me 30 përqind të votave, edhe në sajë të kritikës për politikën e refugjatëve të Erdoganit. Shprehje kritike të tilla dëgjohen me dëshirë nga një pjesë e popullit, në një kohë kur ekonomia turke po tregon shenja dobësie në shumë aspekte.

Erdogani nën presion
Në përputhje me këtë Erdogani është nën presion edhe pas zgjedhjeve. Prandaj ai përpiqet që me ndihmën e ushtrisë dhe të milicëve sirianë të paguar t’i vendosë nën kontrollin e tij pjesë të Sirisë Veriore, thotë Günter Meyer, Drejtues i Qendrës për Studimin e Botës Arabe në Universitetin e Maincit. “Kjo do të ishte një zonë që në këndvështrimin e Erdoganit është e përshtatshme për të lehtësuar kthimin e sirianëve nga Turqia”.
Për Evropën, për Gjermaninë, interesi i Erdoganit ofron shanse dhe vështirësi njëkohësisht. Kështu me sa duket Erdogani është mirënjohës për çdo refugjat sirian, që largohet sërish nga Turqia – pavarësisht se në cilin drejtim. Në këtë kuadër, numri i refugjatëve që mbërrijnë nga Turqia në Greqi që prej fillimit të majit është nëntëfishuar, më shumë se 15000 vetë e kaluan Mesdheun midis Turqisë dhe Greqisë. Prandaj Komisari i BE për Migrimin dhe Punët e Brendshme, Dimitris Avramopoulos, kërkoi që të rritet prania e rojes kufitare dhe bregdetare prej 1500 vetësh të BE. Njëkohësisht ai tha se marrëveshja për refugjatët midis BE dhe Turqisë vazhdon të funksionojë.

Turqisë i duhet stabilitet në Siri
BE dhe njëkohësisht Gjermania përfitojnë nga interesi i Erdoganit për të kontribuar sa më shumë që të jetë e mundur për paqëtimin e shtetit fqinjë. “Turqia është shumë e varur nga stabiliteti në shtetin fqinj”, thotë Günter Meyer. Ky është edhe interesi i Gjermanisë – një pikë tjetër lidhëse, po ta vizitojë Erdogani në vjeshtë Gjermaninë. Turqia ka ftuar në fillim të shtatorit edhe për t’u konsultuar për zhvillimet në Siri në një bisedë katërshe Rusinë, Francën dhe Gjermaninë. Vërtet që ende nuk ka reagime nga këto vende, por të gjithë janë të interesuar për fundin e luftës në Siri dhe për kthimin e refugjatëve në atdheun e tyre.

Shenja afrimi nga Gjermania
Edhe Gjermania sinjalizon vullnet për një afrim të ri. Kështu një pjesë të sanksioneve ndaj Turqisë qeveria gjermane nuk i zgjati. Sipas medieve, kufiri i sipërm i garantimit të eksporteve në Turqi nga qeveria gjermane, i vendosur më 2017 si mjet presioni ndaj Turqisë, këtë vit nuk u zgjat – dhe kjo pavarësisht faktit se situata e të drejtave të njeriut në Turqi nuk është përmirësuar dhe në burgjet e Turqisë ndodhen edhe më tej 46 nënshtetas gjermanë. Ministria e Jashtme i zbuti pas fundit të gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi edhe këshillat për udhëtimin për turistët dhe biznesmenët. Nga kjo përfiton veçanërisht industria turke e turizmit. Ajo e ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme një zbutje të tillë.
Jo vetëm Gjermania, edhe Holanda kërkon që pas fundit të gjendjes së jashtëzakonshme t’i vërë marrëdhëniet me Turqinë në baza më të mira. “Një normalizim i plotë i marrëdhënieve turko-evropiane megjithatë nuk është i afërt, sepse vazhdojnë të ekzistojnë shumë dallime politike edhe pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme”, thotë Günter Seifert nga “Fondacioni Shkenca dhe Politika”./DW

 

Fraksion.com