Thaçi: Ndryshimi i kufirit Kosovë – Serbi s’nënkupton bashkimin me një shtet tjetër
Presidenti Hashim Thaçi, tha se ndryshimi i kufirit Kosovë – Serbi s’nënkupton bashkim me një shtet tjetër. Sipas tij, bashkimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor do të ndodhë në Bashkimin Evropian (BE).
Këto komente ai i bëri kur u pyet nëse pas ndryshimeve kushtetuese për të drejtën e referendumit rreth mundësisë për bashkim me Shqipërinë.
“S’do të ketë as ndarje, e as autonomi të Kosovës. Ndryshimi i kufirit Kosovë – Serbi nuk nënkupton bashkimin me ndonjë shtet tjetër. Bashkimi jonë do të ndodh në Bashkimin Evropian”.
Thaçi ka hedhur poshtë mundësinë e një autonomie për pjesën veriore të Kosovës. Ai deklaroi se nuk do ta lejojë që të cenohet autonomia e vendit.
“Ftoj të gjithë pa dallim etnik që të punojmë në procesin e përcaktuar, të mos e befasojmë njëri-tjetrin. Çdo provokim që ndodh në veri, nuk ndodh pa dijeninë dhe aprovimin e Beogradit”.
“Nuk do ta lejojmë cenimin kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Do të punojmë që me mirëkuptim, me dialog, të tejkalohen çdo problem që ekziston. Në interesin e të gjithëve është siguria, stabiliteti, funksionimi demokratik i institucioneve, debati, komunikimi, dialogu i brendshëm dhe i jashtëm”.
Thaçi: Lugina s’mund të bashkohet me Kosovën pa korrigjuar kufirin me Serbinë
Presidenti Hashim Thaçi, ka përsëritur edhe një herë se kërkesa e liderëve të Luginës së Preshevës që kjo pjesë t’i bashkohet Kosovës është legjitime dhe e pranueshme. Kjo sipas tij, është ëndërr shekullore e shqiptarëve që jetojnë në këtë pjesë të Serbisë.
Thaçi në një konferencë për media shtoi se Lugina s’mund të bashkohet me Kosovën, pa korrigjuar kufirin me Serbinë.
“Unë e kuptoj reagimin e nxituar dhe të pamatur të disa individëve apo partive politike lidhur me korrigjimin e kufirit si opsion përfundimtar paqësor. Mirëpo, ne nuk kemi mundësi tjetër për t’ia bashkangjitur Luginën e Preshevës Kosovës, pa u pajtuar me Serbinë për korrigjimin e kufirit”.
Sipas tij, përgjigjja e institucioneve të Kosovës ndaj kërkesë së Luginës për bashkim, duhet të jetë të jetë e qartë jo e mjegulluar.
“Në funksion të realizimit të kësaj kërkese legjitime, që për mua paraqet një mundësi reale, unë publikisht kam thënë se Kosova duhet të jetë e gatshme ta marrë në konsideratë opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë. Tani, institucionet shtetërore dhe të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë të qartë lidhur me kërkesën legjitime të përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën”.
“Përgjigjja e jonë ndaj kësaj kërkesë, duhet ë jetë e qartë dhe jo e mjegulluar apo e kamufluar me teori konspirative. Shteti i Kosovës, institucionet tona dhe qytetarët e vendit tonë, nuk guxojnë t’i mbyllin sytë, nuk guxojnë të struken dhe ta fusin kokën në rërë, dhe ta injorojnë një mundësi të tillë historike të papërsëritshme”.
“Duhet të bashkohemi dhe t’i themi po kësaj kërkese krejt racionale, e cila ka mundësi të realizohet krejtësisht në mënyrë paqësore. Unë nuk mund të jem më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë se kaq. Kjo mundësi e krijuar nuk do të jetë e hapur dhe e mundur përgjithmonë. Në rast se e humbim momentin tani, atëherë kot do të derdhim lot krokodili më vonë”.
“Si president i vendit e kërkoj një gjë të tillë për të mbrojtur sa me mirë interesin shtetëror dhe për të legjitimuar kërkesat politike historike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar Kosovës. Unë nuk po arrij ta kuptoj hezitimin në rastin më të mirë, ndërsa në rastin më të keq, refuzimin e partive politike parlamentare për t’u bashkuar rreth kësaj kërkese dhe mundësie unike historike, për të riparuar sado pak gabimet që kanë ndodhur në të kaluarën në kurriz të shqiptarëve të Luginës”.
“Por, në çdo rast, unë i siguroj shqiptarët e Luginës se deri në fund do të bëj përpjekje që vullneti i tyre politik të realizohet. Si president, për asnjë moment nuk do të mbetem peng i tekave personale, grupore apo partiake që sot hezitojnë të punojnë me mua për realizimin e këtij qëllimi. Jam i vendosur që këtë betejë politike dhe historike, ta dërgoj deri në fund, i bindur se kjo është në përputhje me interesin shtetëror dhe atë qytetar”.
“Nuk dua të tingëllojë aspak pesimist, por më duhet ta theksoj për hir të opinionit publik, se në rast se dështoj duke e bërë këtë përpjekje historike, unë nuk do të jem i turpëruar për faktin se kam bërë përpjekje për ta korrigjuar ketë padrejtësi historike. Por, nuk mund ta them se fatin e njëjtë do ta kenë shumë të tjerë, të cilët pa asnjë argument hezitojnë të radhiten në anën e së drejtës”.
Thaçi tha se për korrigjimin e kufijve e kanë mbështetjen e plotë të ndërkombëtarëve dhe se korrigjimi eventual nuk do të ishte precedan, duke përmendur rastin e Holandës dhe Belgjikës.
“Në rast se do të kemi sukses në këtë përpjekje, rasti i korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në asnjë rrethanë nuk paraqet precedent. Anë e kënd botës, kemi me dhjetëra raste të korrigjimit të kufirit në mënyrë paqësore”.
“Një shembull i tillë shumë relevant i korrigjimit të kufirit ndodhi vetëm dy vite me parë (2016) ndërmjet Holandës dhe Belgjikës. Këto dy shtete kanë pasur arritën ta korrigjojnë kufirin e tyre në mënyrë paqësore pa pasur nevojë të shkrepin qoftë edhe një plumb të vetëm”.
“Gjithashtu, ne e kemi parasysh se karakteri i shoqërive multi – etnike është vlerë thelbësore e çdo shteti demokratik. Për më tepër, është vlerë dhe parim fondamental i BE. Kosova dhe Serbia duan të bëhen anëtarë të BE-së. Prandaj, në çdo opsion, në rast se do të kemi marrëveshje përfundimtare, ne do të sigurohemi që kjo vlerë të ruhet dhe afirmohet”./EO
Fraksion.com