AktualitetEkonomiTë fundit

Tenderët me negocim, APP : Si të veprojnë institucionet kur kemi procedura me dy faza

Agjencia e Prokurimit Publik ka vendosur që të bëjë ndryshime në udhëzimin e saj të 8 janarit 2018 që sanksionon se çfarë është procedura e negocimit pa shpallje paraprake, si veprohet nga autoritetet dhe operatorët si dhe rastet kur përdoret. Ndryshimi është bërë në pikën 10 të këtij udhëzimi me një shtesë për tenderët e shtrirë në dy faza.

“Rastet e përdorimit të kësaj procedure prokurimi janë si vijon: Kur në përgjigje të dy procedurave të njëpasnjëshme mbi ose nën kufirin e ulët monetar nuk është dorëzuar asnjë ofertë apo kërkesë për pjesëmarrje (mungesa e konkurrencës)” thuhet në pikën 10.

Ndryshimi në udhëzim ka shtuar praktikën për tenderët me dy faza. “Në rastin e procedurave të prokurimit me dy faza, autoriteti kontraktor do të përdorë procedurën e prokurimit “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” kur në përgjigje të dy procedurave të njëpasnjëshme nuk është arritur konkurrenca minimale me dy kandidatë të kualifikuar për vazhdimin e mëtejshëm të kësaj procedure  prokurimi” thuhet në udhëzimin e ri.

Tenderët me negocim pa shpallje paraprake janë konsideruar herë pas herë në raporte në një nivel relativisht të lartë. Vetë APP gjatë këtij viti është angazhuar në nxjerrjen  herë pas here të udhëzimeve apo njoftimeve në funksion të dekurajimit të këtyre procedurave kur ka vend duke saktësuar rastet konkrete kur mund të përdoren ato.

Një tender me negocim konsiderohet ai kur institucioni përkatës që kërkon të marrë një mall apo shërbim preferon të ftojë operatorë të veçantë për të negociuar duke shmangur kështu procedurat e hapura ku të gjithë operatorët mund të marrin pjesë.

Gjithsesi përdorimi I tyre për raste të veçanta nuk konsiderohet i gabuar gjithmonë duke pasur parasysh parimet e mosdiskriminimit dhe shmangies së qëllimshme të konkurrencës.

 

Fraksion.com