AktualitetLife StyleTë fundit

Sekreti më i tmerrshëm dhe i ruajtur plot fanatizëm, i klanit Kenedi

Në 7 janar 2005 në moshën 87 vjeçare në një karrige me rrota qysh prej vitit 1985 dhe e ngritur vetëm në çastet kur shtrihej dhe kur ngrihej, e gjetën të vdekur. Në dekadat e fundit askush nuk e vizitoi përveç motrës Eunice Kennedy Shriver. Pavarsisht se ishte fëmija i parë i klanit Kenedi, as Joseph-i, i ati dhe as Rose, e ëma nuk menduan për të kur vendosën ta nënshtronin për një lobotomi frontale dhe e mbyllën në një azil në Wisconsin. Rosemary, idiotja e familjes, ashtu siç thërritej asokohe, fëmija me një dëmtim cerebral të parikthyeshëm për shkak të një manovre të gabuar gjatë lindjes, ishte reja e zezë e klanit të artë Kenedi, qengji i sakrificës, në epokën mesjetare do të kishte vdekur, sepse do të quhej e pushtuar nga djalli. Megjithatë ajo që ndodhi duke nisur nga 1941 nuk ishte shumë ndryshe. Shkrimtari amerikan Irving Wallace publikoi një artikull me titull “Ia hoqën trurin”, ku përshkruante një lobotomi cerebrale, prerje e një ose më shumë lobujve të trurit në një ose në të dy hemisferat. Në këtë artikull Wallace e krahasonte gjymtimin me vdekjen e shpirtit. Në nëntor të 1941 filloi të ngrihej një kurth sekret në zemër të familjes Kenedi. 

Të bardhët, bjondët, fitimtarët, milionerët dhe të pushtetshmit dhe nga ana tjetër një sekret i ruajtur mirë, një skelet në dollap. E parrëfyera…gjithçka falet, por jo kjo…përballë kësaj të fshehte gjithë të tjerët ishin asgjë ose pothuaj asgjë. Dihej dhe falej se plaku Joseph Kennedy kishte qenë kontrabandist i alkoolit dhe ortak me mafiozët. Dihej se kreu i mafias Sam Giancana kishte qenë kyç në zgjedhjet që çuan JFK në dhomën ovale. Pak ose aspak pagoi Ted Kennedy për dashurinë e tij me Mary Jo Kopechne, dehja e tij, aksidenti Chappaquiddick, rënia në liqen, vdekja e saj. Marilyn Monroe dashnore e JFK dhe e vëllait të tij, Bobit si dhe vdekja e çuditshme e saj, alkoolizmi i Ethel, gruas së Bobit. Dy vëllezër të vrarë brenda 5 vitesh. Fantazma e përjetshme e hakmarrjes, kospiracioni…Askush nuk kujtohej për të voglën Rosemary Kennedy. 

E parrëfyera, e padukshmja, e çmendura e papafingos, e lojtura që në romane me djaj jeton e mbyllur dhe e prangosur e që askush nuk i dëgjon ulërimat e saj. E bukur si një mollë, Rosemary ishte vajza më e madhe e Joseph dhe Rose-s, lindi në 13 shtator 1918. Mjekët dhe familjarët nuk vonuan së konfirmuari të dukshmen; vajza e bukur si mollë, e sapokëputur, sipas biografit të Kenedëve mezi fliste dhe mezi ecte dhe kishte luhatje në humor  dhe ndonjëherë të dhunshme. Ishte më shumë se një problem gjenetik; neglizhencë gjatë procesit të lindjes. Sipas Kate Clifford në librin e saj “The Hidden Kennedy Daughter” infermierja u përpoq të ndalonte aktin e lindjes, sepse mjeku ishte i zënë me paciente të tjera dhe ajo besonte se nuk ishte e duhura për të pritur lindjen e bebes, një idiotësi sociale çka e çoi në mbylljen e këmbëve të nënës. Kjo vonesë mund të ketë shkaktuar mungesën e oksigjenit dhe solli fatkeqësinë e një jete. 

Një “magjistar” lobotomist, doktor James Watts në nëntor 1941 në fshehtësi dhe me imponimin e Joseph-it, patriarkut i shkaktoi të parikthyeshmin dëm. Rosemary ishte 23 vjeç kur iu nënshtrua kësaj ndërhyrje  dhe që kur ishte 20 kronikat sociale e vizatonin si një vajzë të bukur me tiparet më të rafinuara të Kenedëve. Një princeshë bore me mollëza të kuqe, buzëqeshje plot dritë, dhëmbë si diamantë dhe e ëmbël për të gjithë ata që e kishin njohur. Megjithatë ishte njollë për karrierën politike që tirani Joseph kishte thurur për djemtë e familjes John, Bob dhe Teddy. Edhe pse ishte perfekte si një kukull, në shkollë të gjithë e thërrisnin e vonuara, nuk e kaloi kurrë koefiçentin intelektual përtej klasës së III-IV dhe e futën në një shkollë për të “papërshtatshmit” ashtu siç quhej asokohe. Kur trupi i Rosemary-t filloi të kalonte nga fëmijë në grua prindërit mendonin se seksualiteti i saj ishte i rrezikshëm dhe vendosën ta shtronin për një lobotomi. Ndërsa thika kalonte në tru, fëmija duhej t’i përgjigjej pyetjeve dhe sa më shumë gabime që të bënte aq më shumë arrihej suksesi. Pas operacionit u mbyll në një banesë në Wisconsin me një mendje që nuk i kalonte 2 vjeçët dhe e lidhur në një karrige me rrota. Asgjë nuk ishte e pamundur për prindërit e saj. 

Përgjigjja ndaj pyetjeve ishte gjithmonë; po jep mësim në një shkollë në Lindjen e Mesme të specializuar për persona të paaftë, një kryevepër e cinizmit. Më tej vetëm motra Eunice Kennedy Shriver e vizitonte dhe në vitin 1962 ajo shkruajti një dëshmi të ndjerë: “Ishte e bukur, por më e ngadalta për t’u zvarritur, për të ecur dhe për të folur se vëllezërit e saj brilantë. E pëlqente muzikën dhe mësoi të kërcejë, por gjithmonë pyeste: ‘Pse djemtë nuk më ftojnë në kërcim?’ Kur im atë ishte ambasador në Londër ajo u prezantua në Buckingham para mbretërve dhe u soll shumë mirë….”  Tashmë sekreti ishte vendosur dhe mbyllur në një kasafortë me 7 kyçe. Rosemary nuk do të dilte kurrë prej andej. Kurrë më. / paraguay.shafaqna.com, bota.al

 

Fraksion.com