Projekt për krijimin e mekanizmit të zgjidhjes së ankesave të investitorëve; Ja praktikat rajonale
Sekretariati i Këshillit të Investimeve këtë vit u përfshi në një proces dikutimesh i mbi kuadrin ligjor aktual ekzistues për investimet, si edhe për të lehtësuar procesin e përgatitjes së një kuadri ligjor të harmonizuar me praktikat e mira ndërkombëtare.
Nga takimet e zhvilluara si në nivel ekspertësh ashtu edhe nga diskutimet në Mbledhjen e KI u vlerësua si shumë i rëndësishëm roli i mekanizmave shtetërorë për zgjidhjen e ankesave të investitorëve që në fazat e hershme të këtyre ankesave, si dhe mundësia për të përfshirë një mekanizëm të tillë në ligjin për investimet.
Qëllimi i ngritjes së mekanizmave të tillë është dhënia e garancive ligjore për zbatimin e shtetit ligjor, zbatimit të parimit të parashikueshmërisë dhe të mundësisë efektivë që kanë investitorët për të vënë në vend të drejtat e shkelur apo të mohuara nga ana e administratës.
Praktikat rajonale njohin disa modele për lehtësimin e punës së investitorëve.
Maqedonia dhe Kroacia nuk kanë një model të mirëfilltë të Modelit të Zgjidhjes së Ankesave ndaj investitorëve, sepse nuk kanë një ligj të veçantë për investimet/investimet e huaja. Serbia ka një model që përshkruhet kryesisht në mënyrë deklarative në ligjin përkatës për investime si garanci e përgjithshme për investitorët, por nuk është e qartë mënyra e trajtimit të ankesave, cilat ankesa mund të paraqiten apo afati i shqyrtimit të tyre.
Greqia paraqet një model interesant të Business Ombudsman të përshtatur nga viti 2013 në kuadër të Enterprise Greece (Agjencia e Promovimit të Investimeve) me fokus jo zgjidhjen e çështjeve dhe ankesave si pjesë e ankimit administrativ, por në funksion të ndërmjetësimit për zgjidhjen e ankesave në fazën e tyre paraprake. Juridiksioni i Business Ombudsman është i kufizuar vetëm sa i takon ankesave që lidhen me proçedurat e licencimit të investitorëve.
Ukraina ofron një model të veçantë “sui generis” të trajtimit të ankesave të investitorëve, që mund të vihen në funksion vetëm pas shterimit të të paktën një proçedure të ankimimit administrativ. Më tepër se një model IGM në kuptimin klasik, Business Council Ombudsman është i ngjashëm më tepër me një institucion si Avokati i Popullit në Shqipëri.
Në Gjeorgji funksionon Georgia Business Ombudsman si një institucion i veçantë dhe jo si IGM. Ky institucion trajton ankesat e bizneseve që lidhen kryesisht me tatimet dhe taksat dhe proçedurat përkatëse, i ngjashëm me Avokatin e Tatimpaguesve në Shqipëri. Georgia Business Ombudsman është themeluar në vitin 2015 dhe ka zëvendesuar Institucionin e Avokatit të Tatimpaguesit (Tax Ombudsman) në funksion deri në 2011.
Nuk ka ende një praktikë të konsoliduar ndërkombëtare lidhur me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të këtyre mekanizmave, si edhe mbi kompetencat apo natyrën e institucionit përkatës të ngarkuar me këtë rol ndërmjetësimi. Ndërkohë, trajtimi i ankesave të investitorëve lidhur me veprimet apo mosveprimet e administratës publike ka një rëndësi parësore për të parandaluar konfliktet ligjore të cilat mund të kalojnë në juridiksionin administrativ, gjyqësor apo në sferën e arbitrazhit ndërkombëtar. Mekanizma të tillë ekonomizojnë nga pikëpamja e kohës dhe e kostove gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme në një fazë ndërmjetësimi.
Këto mekanizma shikohen si pjesë e shërbimit të kujdesit (aftercare) të kryera nga Agjencitë e Promovimit të Investimeve apo institucione të tjera të cilat ngrihen për qëllime të ndërmjetësimit të konflikteve midis investitorëve (biznesit) dhe administratës publike. Përgatitja e një modeli të caktuar lidhet me kuadrin ligjor dhe institucional në fuqi në një vend të caktuar si edhe mbi problematikat që synohen të zgjidhen nëpërmjet zbatimit të një mekanizmi të tillë, duke mbetur kësisoj në varësi të vendimmarrjes së Qeverisë.
Fraksion.com