AktualitetTë fundit

Ndëshkohen dhjetëra shoferë të dehur dhe pa dokumenta

Policia Rrugore shqiptare arrestoi gjatë korrikut 101 shoferë të dehur dhe ndëshkoi 164 të tjerë për drejtim automjeti pa dokumenta.

Forcat e rendit pezulluan 113 patenta për tejkalim të kufijve të shpejtësisë dhe drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit.

Policia ndëshkoi rreth 7 mijë shoferë të tjerë për përdorim të celularit gjatë udhëtimit.

Mbi 3 mijë e 500 drejtues automjeti morën ndëshkime administrative për shkelje të Kodit Rrugor, sidomos për parakalime të gabuara, tejkalim shpejtësie, mosvendosje të rripit të sigurimit, mospërdorim të kaskove mbrojtëse, përdorim celulari në timon.

Përfaqësues të policisë rrugore shqiptare bënë thirrje publikut të shtojnë kujdesin gjatë sezonit turistik, të ulin shpejtësinë dhe parakalimet e gabuara.

“Trafiku i rënduar i automjeteve prej turistëve nga shtete të tjera kërkon masa shtesë për parandalimin e aksidenteve. Shoferët duhet të shmangin pijet alkoolike në timon, motoçiklistët dhe këmbësorët të shtojnë kujdesin në kapërcimin e rrugëve, sepse shkeljet janë të shumta nga të tre grupimet”, – tha Mithat Tola, drejtor i qarkullimit rrugor në policinë e shtetit.

Sipas statistikave policore, gjatë korrikut ndodhën 9 vdekje më pak nga aksidentet rrugore, krahasuar me një vit më parë. Po ashtu ndodhën 33 plagosje të rënda më pak se e njëjta periudhë.

 

Fraksion.com