Majko: Duhet të prekim edhe Kushtetutën për votimin e emigrantëve
Përfshirja e votës së emigrantëve në Kodin Zgjedhor do të kërkojë ndryshime kushtetuese.
Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, zbulon se është diskutuar mundësia e një tjetër ndërhyrjeje në librin themeltar të shtetit çka do të kërkojë edhe dakordësinë e opozitës.
“Ajo qe unë kam frikë është në duhet të prekim Kushtetutën. Pasi një nga sistemet apo modeli i përshtatshëm për pjesëmarrjen e diasporës do të kërkojë ndryshimin e formulës së zgjedhjes së deputetëve. Për fat të keq jemi treguar shumë detajistë për sa i përket Kodit Zgjedhor në ndryshimet kushtetuese të 2009 për shkak të mosbesimit që kishin palët.”
Majko flet për vështirësitë që ka votimi i shqiptarëve të diasporës, një premtim ky i hershëm i socialistëve.
“Votimi është një moment i rëndësishëm, por që unë në përgjithësi kam qenë i rezervuar për të dhënë një formulë fundore për këtë çështje. Dua të theksoj që rezoluta e nënvizon dhe i kërkon Komisionit të reformës zgjedhore që sa më shpejt të marrë një vendim për këtë çështje pasi i takon këtij Komisionit që të vendosë dhe unë i jam shmangur debateve të natyrave të tilla në publik pasi mendoj që kolegët e mi qofshin të majtë qofshin të djathtë në esencë janë shprehur pro votës së shtetasve tanë jashtë vendit. Kjo ka shumë rëndësi. Ajo që ne po diskutojmë aktualisht është mënyra sesi do ta realizojmë atë”, deklaroi Majko, ndërsa ka gati dhe propozimet që çojnë tek një zgjidhje.
“Një nga shanset që kemi dhe që mund të kryhet pa shpenzime. Të gjithë shtetasve shqiptar tani ju plotësohet 10-vjeçari i përdorimit të dokumenteve të identifikimit. Do të thotë të gjithë duke filluar nga Presidenti i Republikës duhet të ribëjnë pasaportat. Është momenti kur të specifikohet dhe adresa dhe të vendoset ajo permanente jashtë shtetit, jo adresa që kanë patur kur jetonin në Shqipëri.”
Në korrik, Kuvendi vetëm me votat e shumicës miratoi rezolutën e parë për diasporën, ku adresohet edhe zgjidhja e çështjes së votimit të emigrantëve.
Fraksion.com