Kina paralajmëron tarifa të reja mbi eksportet amerikane
Kina paralajmëroi se do të vendosë tarifa të reja prej 60 miliardë dollarësh ndaj mallrave amerikane, nëse administrata Trump vë në jetë kërcënimet e saj për tregtinë.
Ministria e Tregtisë njoftoi se janë propozuar tarifa nga 5 deri në 25 për qind ndaj më shumë se 5,200 mallrave amerikane duke e cilësuar këtë si një veprim të drejtë hakmarrës në luftën tregtare që po përshkallëzohet ndërmjet dy ekonomive më të mëdha në botë.
Paralajmërimi i Kinës erdhi menjëherë pasi sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo u takua të premten me këshilltarin shtetëror kinez dhe me ministrin e jashtëm Wang Yi në Singapor.
Të enjten, ministri i Jashtëm kinez u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara kishin nevojë të qetësoheshin dhe të merrnin në konsideratë konsumatorët e tyre, si përgjigje ndaj kërcënimeve të administratës Trump për të rritur tarifat e propozuara nga 10 përqind në fillim në 25 përqind ndaj mallrave kineze me vlerë 200 miliardë dollarë.
SHBA thotë se duan që Kina të ndalë vjedhjen e informacioneve sekrete të korporatave amerikane si dhe subvencionimin e kompanive kineze me kredi të lira, që u japin atyre një avantazh të padrejtë.
Fraksion.com