Erdoğan shpalos planin 100 ditësh të Kabinetit Presidencial
Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan shpalosi planin e parë aksional 100 ditësh të Kabinetit Presidencial pas formimit të qeverisë së re nën sistemin e ri të qeverisjes.
“Programin Afatmesëm planifikojmë ta shpalosim në fund të gushtit. Kemi filluar punimet për planin strategjik për periudhën 2019-2023. Planifikojmë që këtë ta përfundojmë deri në fund të nëntorit”, tha Erdoğan në një takim prezantues në Kompleksin Presidencial në Ankara.
Gjithsej 1.000 projekte janë paraparë të përfundojnë në 100 ditëshin e parë të qeverisë, por në programin e shpalosur janë inkuadruar vetëm 400 më të rëndësishme dhe prioritare, njoftoi presidenti turk.
Duke theksuar se Turqia nuk do të heqë dorë nga projektet e industrisë së mbrojtjes pa marrë parasysh se çfarë ndodh, Erdoğan tha se 48 nga 400 projektet në planin aksional 100 ditësh janë në fushën e industrisë së mbrojtjes.
Ai rikujtoi se Turqia ka arritur përparim të rëndësishëm në riparimin e dëmit të shkaktuar nga organizata terroriste FETO në sistemin gjyqësor, pasi ajo prej dhjetra vitesh ishte infiltruar në institucionet e vendit.
Duke folur për aktivitetet e përbashkëta me SHBA-në rreth rajonit verior siran Munbixh, Erdoğan tha se presin që këto aktivitete të vazhdojnë pa u ndikuar nga problemet e tjera mes dy vendeve, të cilat në muajin qershor kishin arritur marrëveshje për pastrimin e Munbixhit nga organizata terroriste YPG/PKK.
Duke shpalosur tutje programin 100 ditësh të kabinetit, presidenti turk paralajmëroi rritje të të ardhurave të vendit.
“Afër 40 miliardë lira burime publike do të menaxhohen në një llogari të vetme, ndërsa në vit do të gjenerohen të ardhura shtesë prej 3-4 miliardë lirash”, shtoi Erdoğan.
Ai po ashtu tha se aeroporti i ri i Stambollit do të hapet më 29 tetor, ndërsa paralajmëroi përfundimin e punimeve vlerësuese të Projektit të Kanalit të Stambollit.
“Pika më e rëndësishme e programit ekzekutiv 100 ditësh është hapja e aeroprtit të ri të në Stamboll”, u shpreh Erdoğan.
Në kuadër të planit aksional, njoftoi Erdoğan, hapet tenderi për ndërtimin e Tunelit të Madh 3 Katësh të Stambollit, i cili do të kalojë në Ngushticën e Bosforit.
Po ashtu, plani aksional i kabinetit presidencial përfshin caktimin e 35 shteteve dhe qytete të reja në të cilat do të mund të hapen Qendra Tregtare të Turqisë në mënyrë për të rritur vëllimin tregtar.
Presidenti Erdoğan gjithashtu tha se në kuadër të synimeve 100 ditëshe do të bëhet hapja e njësisë së parë e Centralit Bërthamor Akkuyu, ndërsa Turqia do të blejë edhe anijen e dytë të shpimit për aktivitetet e kërkimit të hidrokarburëve ne detra.
Sipas planit aksional, prioritet në mandatin e ri do të jenë tregjet e Kinës, Meksikës, Rusisë dhe Indisë.
“Prioriteti ynë në fushën e eksportit në periudhën e re do të jenë tregjet e Kinës, Meksikës, Rusisë dhe Indisë”, theksoi Erdoğan.
Plani parasheh që numri i mysafirëve sirianë që do të kthehen në zonat e siguruara në Siri do të arrijë në 250 mijë.
Ndërkohë, sipas Erdoğan, Misioni i NATO-s në Irak do të emërojë një zëvendëskomandant nga Turqia.
Në kuadër të programit, Erdoğan paralajmëroi vazhdim të mbështetjes për palestinezët.
“Do ta vazhdojmë mbështetjen për palestinezët të cilët janë të ekspozuar ndaj sulmeve ilegale dhe çnjerëzore të shtetit izraelit”, tha presidenti Erdoğan duke shpalosur programin qeveritar./AA
Fraksion.com