AktualitetEkonomiTë fundit

Vetkontrollet e qeverisë zbulojnë 58 milionë euro shpërdorime më 2017

Vetkontrollet e qeverisë në entet e saj nëpërmjet njësive të auditit të brendshëm kanë zbuluar 7,8 miliardë lekë ( 58 milionë euro) shpërdorime nga kontrollet e ushtruara gjatë vitit të kaluar sipas të dhënave nga Ministria e Financave.

Drejtoria e Auditit në Ministrinë e Financave vëren se janë konstatuar 6286 raste të shkeljeve, për të cilat vlera ë dëmeve llogaritet në 7.8 miliardë lekë.

Audituesit e brendshëm vërejtën problematika të ndryshme në të gjitha sistemet e kontrollit të brendshëm. Dëmin më të madh e ka krijuar sistemi i prokurimeve publike cili ka krijuar 91 për qind të vlerës së dëmit.

Ministria e Financave thotë se audituesit e brendshëm kanë çuar 18 raste për investigim të mëtejshëm nga njësi të specializuara. Këto raste i përkasin kryesisht Ministrisë së Energjisë dhe infrastrukturës, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, AKU, Shërbimi Kombëtar i Punësimit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Posta Shqiptare sha, Albpetrol, Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor dhe Bashkia Kukës.

Pesë prej këtyre rasteve i janë drejtuar për investigim të mëtejshëm Drejtorisë së inspektimit Financiar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, pesë raste prokurorive të rretheve përkatëse, rastet e tjera i janë drejtuar titullarëve të njësive publike, Agjencisë së Prokurimit dhe Drejtorive të Policisë së Qarqeve përkatëse.

Vlera të larta të shpërdorimeve u gjetën kryesisht me mosfunksionimin siç duhet të sistemit të prokurimeve, blerjeve dhe investimeve, sistemit të administrimit të pronës dhe pasurisë, sistemi i tatimeve, taksa dhe dogana dhe sisteme të tjera sipas misionit dhe qëllimit të institucionit. etj.

Në sistemin e prokurimeve dëmet më të mëdha janë vërejtur në kryesisht me nënshkrim të kontratave duke ndryshuar kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit, mos ndjekjen e hapave ligjorë për blerjet e vogla, blerjen e mjeteve të transportit në kundërshtim me specifikimet teknike, etj.

Në sistemin e administrimit të pronës dhe pasurisë referuar raporteve të auditit rezulton se ka pasur probleme me procesin e vlerësimit për nxjerrjen jashtë përdorimit të aktiveve, asgjësimit me tjetërsim të formës fillestare, marrjes së titujve të pronësisë së trojeve dhe ndërtesave, etj.

Në sistemin e kontabilitetit janë gjetur parregullsi të funksionimit të sistemit të kontabilitetit (dokumente jo të besueshme), në inventarët e njësive mbahen aktive, të cilat nuk ekzistojnë dhe kanë të bëjnë me vlerën e objekteve ndërtimore të amortizuar dhe të dëmtuara plotësisht, etj. Nga analiza rezulton që gjetjet lidhen me fushat e vlerësuara me risk të lartë që në fazën e planifikimit të veprimtarisë audituese, ato do të trajtohen në mënyrë të vazhdueshme si nga audituesit e brendshëm, subjektet e audituara ashtu edhe nga titullarët e njësive publike. Të dhënat numerike mbi rastet e konstatuara të dëmit ekonomik, si dhe ndikimi që ato kanë pasur në buxhetin e subjekteve të audituara në mënyrë të përmbledhur jepen në tabelën e mëposhtme./Monitor

 

Fraksion.com