“Air Albania”, MDN Investment shet 77 për qind të aksioneve: Kush janë blerësit?
Në 16 qershor të këtij viti Qeveria përcaktoi procedurat për krijimin e shoqërisë “Air Albania” e cila do të operojë në fushën e transportit ajror. Tre ortakët e saj sipas të njëjtit vendim janë “ALBCONTROL”, sh.a., që përfaqëson palën shtetërore shqiptare, dhe dy subjekte të tjera, “Turkish Airlines” dhe “MDN Investiment”, sh.p.k. Sipas vendimit të Qeverisë për krijimin e kësaj kompanie, Albcontrol dhe MDN Investment kanë mazhorancën e aksioneve prej jo më pak se 51% të tyre (pa specifikuar sa ka secili) ndërsa pjesa takuese prej 49% i kalon Turkish Airlines.
Por që nga qershori e deri më tani nuk duket të kemi ndonjë zhvillim lidhur me “Air Albania” e cila u lakua se do të niste shumë shpejt fluturimet. Gjithsesi aksionerët e interesuar brenda kompanive të tyre duket se kanë pasur zhvillime. MDN Investment në korrik ka vendosur që të shesë 77 për qind të aksioneve të saj.
Kush janë tre aksionerët e rinj
Ortaku i vetëm i kompanisë MDN Investment Sinan Idrizi ka vendosur që të kalojë në favor të tre personave pjesën më të madhe të aksioneve të kompanisë. Të paktën 23 për qind e tyre kanë kaluar në emër të Ron Yeffet ndërkohë që nga 27 për qind kanë kaluar në emrat e Najada dhe Reajana Idrizi. Shitja është shoqëruar me vendimin e asamblesë së përgjithshme dhe dokumentin e transferimit të aksioneve. Kontrata mes palëve është nënshkruar në 17 korrik 2018 dhe vlera e shitjes së aksioneve është 77 mijë euro në total.
MDN Investiment shpk është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 3.05.2018 me qendër në Vlorë dhe me objekt të aktivitetit : Projektimi, financimi, ndërtimi ,kryerja, funksionimi si dhe menaxhimi i Aeroportit Ndërkombëtar, i cili përfshin nder te tjera marrjen në pronësi nga shoqëria të Terminalit të Ri, zyrave të reja të Administrimit, Qendrës së Re të Ngarkesës Ajrore, pajisjeve të reja të karburantit, rrugës së re të hyrjes së urës së re(‘Mjediset e reja”)dhe zotërimi dhe ushtrimi i Uzufruktit nga shoqëria në lidhje me zonën e konçesionit.
Air Albania ende projekt në letër, fokusi tek TIA
Qeveria prek kohësh njoftoi se krijimi i kompanisë Air Albania do të ofronte më shumë mundësi për shqiptarët që të preknin disa destinacione me çmime të ulëta duke e konsideruar veten si një linjë “loë cost”. Kryeministri Rama do të deklaronte në prill se kishin nisur rekturimet e para të stafit për kompaninë ndërkohë që fluturimet e para të saj do të nisin në muajin qershor por kjo nuk u bë e mundur. Nën zë është lakuar si arsye situata me aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës ku Air Albania është e detyruar që t’i nënshtrohet tarifave që aplikohen nga konceisonari duke bërë që në finale çmimet të mos rezultojnë edhe aq loë cost. Gjithsesi kjo arsye nuk është konfirmuar zyrtarisht nga insitucionet.
Këto të fundit janë angazhuar së fundmi në një përpjekje për të bërë një vlerësim ekonomik të koncesionit të TIA-s, një vlerësim që nuk është bërë asnjëherë që nga nisja e operimit. Kompanisë do t’i bëhet një vlerësim për investimet, kthimin e kapitalit, marzhet e fitimit dhe përputhshmërinë e gjithë këtyre elementëve me planin e biznesit. I njëjti vlerëism do të bëhet edhe duke krahasuar çmimet e aeroportit në raport me rajonin.
E derisa të zgjidhet situata me TIA-n dhe të marrë jetë projekti për “Air Albanian” qytetarët do të jenë të detyruar që të udhëtojnë me çmime të kripura drejt shumicës së destinacioneve. Vetëm pak ditë më parë “Monitor” publikoi çmimet e “çmendura” të biletave që aplikojnë kompanitë e transportit ajror për fluturimet në disa qytete europiane.
Pikëpyetjet e Air Albania
Nuk është shpjeguar asnjëherë nga Qeveria arsyeja e zgjedhjes së kompanisë MDM, pa përvojë direkte në fushën e fluturimeve ajrore.
Nga ana tjetër, edhe Albcontrol është agjenci shteterore dhe jo ndërmarrje në kuptimin komercial, pasi funksionon në parimin e caktimit të tarifes së mbikalimeve ajrore në bazë të principit të mbulimit të kostove. Kjo nënkupton që AlbControl investon në teknologji e në anë operacionale për të mbuluar detyrimin e sigurimit të shoqërimit të avionave që mbikalojnë hapësirën tonë ajrore dhe këtë kosto e përcjell me anë të tarifave tek linjat që e përdorin këtë hapësirë. Ligji nuk parashikon që Albcontrol të bëjë investime fitimprurese apo me humbje.
Po keshtu asnjëhere nuk është shpjeguar se si do të jetë pozicionimi në treg i AirAlbania, kur do të fillojë ajo nga funksionimi dhe nëse ajo do të arrijë të funksionojë si një operator ajror me kosto të ulët.
Fraksion.com