Zaev: Dilni dhe votoni në referendum, koha kërkon vendime të guximshme
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në një konferencë për mediat i shoqëruar me ministrat e kabinetit të tij qeveritar, u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë të dalin në referendumin për marrëveshjen me Greqinë dhe të votojnë sipas bindjeve të tyre personale, pasi siç tha, Maqedonia është në një kohë e cila kërkon vendime të guximshme të qytetarëve të saj.
Kryeministri Zaev tha se Kuvendi Republikan tashmë ka shpallur datën e referendumit, i cili për nga natyra e tij, do të paraqesë kthesë të madhe për drejtimin të cilin do ta marrë shteti.
Më 30 shtator votohet në referendum për emrin e Maqedonisë
“Secili nga ne ka për obligim të marrë mbi supet e veta përgjegjësinë për të ardhmen e tij, por njëkohësisht edhe të vendit tonë. Vota juaj është e drejta e juaj, mos lejoni që dikush tjetër t’ua marrë dhe të abuzojë me këtë të drejtë që keni. U bëj thirrje të dëshmoni se askush nuk mund të ju hamend për të zgjidhur, dilni dhe bëni zgjidhjen”, tha mes tjerash Zaev.
Ai tha se do të respektojë vullnetin demokratik të qytetarëve pavarësisht rezultatit, por shprehu bindje se Maqedonia do të arrijë sukses, duke u bërë anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE), ndërkohë që për qytetarët me përkatësi etnike maqedonase, tha se do të mbesin maqedonas, ndërsa gjuha e tyre do të vazhdojë të quhet maqedonishte.
Kryeministri Zaev kritikoi opozitën maqedonase, VMRO-DPMNE, e cila në prononcimet e fundit tha se është e aftë të arrijë një marrëveshje më të mirë me Greqinë, duke shtuar se ata kishin dhjetë vite mundësi për aq sa ishin në pushtet dhe në vend të kësaj ata, sipas tij, negocionin fshehurazi duke e mbajtur peng Maqedoninë.
I pyetur të komentojë një deklaratë të kryeparlamentarit Talat Xhaferi, në të cilën tha se institucionet e shtetit do të vazhdojnë të zbatojnë marrëveshjen me Greqinë, pavarësisht epilogut të referendumit, përfshirë ndryshimet kushtetuese, Zaev u përgjigj se mbetet një optimist i përkushtuar tek suksesi i referendumit.
“Jam i bindur tek suksesi i referendumit dhe pas kësaj, ne politikanët kemi detyrim të dëgjojmë zërin e qytetarit i cili na ka zgjedhur, duke zbatuar vendimet me përpikmëri, në përputhje me kompetencat që kemi”, tha Zeev.
Dje, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me 68 vota “për”, si dhe asnjë “kundër” dhe “të përmbajtur”, morri vendim që më 30 shtator të këtij viti të mbahet referendumi për emrin, i cili do të jetë konsultativ.
Referendumi është pjesë e Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut, që paraqet kushtin kryesor për anëtarësim në NATO dhe çelje të negociatave me BE-në./AA
Fraksion.com