Maqedoni: Mbi 110 emigrantë ilegalë për një muaj
Vetëm brenda muajit korrik, Ministria e Punëve të Brendshme ka arritur të zbuloj 113 emigrantë, të cilët nga kufiri me Greqinë janë futur ilegalisht në territorin e Maqedonisë. Ndonëse e ashtuquajtura “Ruta Ballkanike” përmes Maqedonisë ka vite që është mbyllur dhe jo zyrtarisht është rihapur drejt territorit të Shqipërisë, kohëve të fundit – sipas të dhënave të MPB-së, janë shtuar rastet ku grupe të ndryshme emigrantësh kanë hyrë në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA.
Gjithsesi, në tentimin për të arritur drejt vendeve të BE-së, emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme, përfshirë edhe ato afrikane, shfrytëzojnë lidhjet e kontrabandës në vendin tonë. Hetimet e realizuara së fundmi nga MPB kanë rezultuar me ngritjen e katër padive penale kundër tre banorëve të Shkupit dhe njërit nga Gjevgjelia. Të pandehurit Q.N, XH,N dhe M.N, nga mosha 21 deri në 33 vjeç dhe P.P (39), siç njoftuan së fundmi nga MPB, dyshohen për kryerjen e veprës penale “organizim të grupit dhe nxitje për kryerjen trafikimit me njerëz, trafikim me fëmijë dhe trafikim emigrantësh”.
Personat në fjalë, sipas organeve të rendit, akuzohen për shkaktimin e vdekjes së dy emigrantëve dhe lëndimit të 12 tjerëve, nga grupi prej gjithsej 23 emigrantë nga Banglladeshi dhe Sri Lanka, të cilët javë më parë u zbuluan pas një aksidenti në komunikacion që ndodhi në rrugën Radovish-Shtip.
Krahas njësive të policisë, zbulimin e trafikimit të emigrantëve, kohëve të fundit gjatë kontrolleve rutinë e kanë zbuluar edhe ekipet mobile të Doganave të Maqedonisë. Një rast i tillë është regjistruar kah mesi i këtij muajit, me çka në hyrjen e tunelit të parë nga Gjevgjelia drejt Shkupit, pjesëtarët e Drejtorisë së Doganave kanë zbuluar një furgon të llojit “IVEKO”, ku kishin qëndruar 44 emigrantë. Gjatë përpjekjeve për të ndaluar këtë furgon, shoferi sipas të dhënave të MPB-së, e kishte hetuar faktin se po përndiqet dhe në këtë mënyrë e ka ndaluar automjetin dhe ka ikur. Numri më i madh i emigrantëve që janë zbuluar në këtë grup kishin qenë nga Pakistani, Afganistani, Siria dhe India. Nga bisedat informative të realizuara me emigrantët, pas zbulimit të tyre, policia ka konstatuar se grupet e trafikantëve për transportimin e tyre nga Maqedonia drejt Serbisë, emigrantëve ju marrin nga 3 mijë euro për person.
Një fakt të tillë e kanë pohuar edhe emigrantë që në fillim të këtij muaji u zbuluan në një pompë benzine mes Kumanovës dhe Tabanocit. Ky grup i përbërë prej 12 emigrantëve, nëntë bura, dy gra dhe dy fëmijë, i ka thënë policisë se marrëveshja me trafikantët ka qenë që ata të vendosen në fshatin Vaksincë. Por, mbase ata kishin vërejtur se mund të zbulon, ishin vënë në arrati. Pas ndërmarrjes së hetimeve më të detajuar, organet e rendit kanë vërtetuar se bëhet fjalë për personin F.V, nga fshati Studeniçan i Shkupit, për të cilin e kanë njoftuar edhe Prokurorinë e Shkupit. Tutje, grupe tjera të emigrantëve gjatë këtij muaji janë kapur edhe në qytetet tjera, siç janë Strumica, Negotina, Shtipi e rrethina.
Fraksion.com