Balfin tërhiqet nga kulla te 7 Xhuxhat; Kastrati merr 100% të aksioneve
Sipërmarrësi Samir Mane, aksioneri i grupit më të madh në vend, Balfin, është tërhequr nga ndërtimi i kullës “Downtown Albania”, që ka filluar të ngrihet në kryeqytet, tek ish parku i lodrave për fëmijë “7 xhuxhat”.
BFI Invest, në pronësi të grupit Balfin ka shitur në fund të korrikut, tek grupi Kastrati, 50% të aksioneve, që ajo zotëronte në kompaninë Downtown1. Kjo e dundit ishte krijuar në maj të vitit 2016, me aktivitet në “Investimin me qëllim zhvillimin, ndërtimin, administrimin dhe shitjen e një godine multifunksionale banimi dhe shërbimesh si një Projekt i Shoqërisë me vendndodhje tek: Blv. Bajram Curri në krah të European Trade Center (ETC), Tiranë”, shkruan Monitor .
Fillimisht kompania kishte tre aksionerë BFI Invest, Kastrati sha dhe Diagonal Projektim & Zbatim shpk. Që në fillim Diagonal Projektim & Zbatim shpk, në pronësi të sipërmarrësit Nikolin Jaka e shiti kuotën e tij prej 30% të aksioneve ë mënyrë të barabartë tek Kastrati dhe Balfin, të cilët më pas u bënë aksionerë të kompanisë me nga 50% secili.
Ndonëse Balfin njoftoi në shtator 2017 nisjen e projektit të ndërtimit të Godinës Polifunksionale DTA – DownTown Albania, me një vlerë investimi prej 75 milionë euro, si një investim i përbashkët i Grupit Balfin dhe grupit Kastrati, në fillim të këtij viti, Balfin filloi të tërhiqej gradualisht nga projekti.
Sipërmarrësi i Balfin Samir Mane kishte deklaruar më herët për Monitor, i pyetur lidhur me këtë tërheqje të mundshme, se ai po e shqyrtonte fisibilitetin e këtij projekti dhe do të vendoste nëse do të vijonte më tej me këtë investim apo jo, ndërsa tha se do të përqendrohej kryesisht tek investimet në bregdet. Tërheqja u finalizua vetëm ditët e fundit, teksa në 27 korrik, është depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit kontrata për shitjen e 50% të aksioneve të BFI Invest te Kastrati sha. Kontrata në fakt rezulton që është nënshkruar që në shkurt të këtij viti, por ndryshimi zyrtar i aksionerëve është bërë vetëm tani.
Kastrati është një ndër grupet më të mëdha në vend, me aktivitet kryesor në tregtimin me shumicë e pakicë të karburantve, por vitet e fundit është diversifikuar edhe në sektorin e ndërtimit, krahas të tjerave.
Flluska e qiellgërvishtësve?!
Sipërmarrësit po rendin drejt ndërtimit të kullave në kryeqytet, në kuadër të planit të ri rregullues të Tiranës, duke rrezikuar krijimin e një mbioferte në tregun e pasurive të paluajtshme, si për apartamente banimi, zyra, hotele e sidomos për hapësira tregtare.
Për dy kullat e para, lejet janë dhënë tashmë. Vitin e kaluar Këshilli i Rregullimit të Territorit ka dhënë leje zhvillimi për objektin: “Godinë Polifunksionale DTA (DownTown Albania)”, me vendndodhje në bulevardin “Bajram Curri”, me zhvillues “DT1” sh.p.k. Godina ka filluar të ndërtohet dhe do të ketë parkim, hapësira tregtare e zyrash dhe objekte banimi. Një tjetër leje zhvillimi është dhënë për objektin: “Zgjerim i kapaciteteve akomoduese e shërbimeve të Hotel Tirana International, me shtesë anësore dhe kullë me destinacion Hotel dhe qendër multifunksionale tregtare e shërbimesh”, me vendndodhje në Bashkinë e Tiranës, me zhvillues shoqërinë “Geci” sh.p.k.
Plani i ri rregullues i kryeqytetit përcakton vetëm dendësinë, dhe nuk specifikon sa dhe ku do të ngrihen kullat në Tiranë, por ato pritet të zhvillohen përgjatë viteve. Ndërtuesit thonë se në Tiranë pritet të ngrihen rreth të paktën 15 kulla. Urbanistët sqarojnë se plani synon në ndërtimin e disa kullave deri në 40 kate nga qendra përgjatë zonës së Bulevardit të Ri deri te Parku i Liqenit.
Edhe projekti i ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar planifikon ndërtimin e disa kullave në zonën pas Teatrit.
Në një vend që ka të ardhurat për frymë më të ulëtat në Europë (29% e mesatares së BE, sipas Eurostat), ndërtimi i qiellgërvishtësve pritet të krijojë një superofertë. Apartamentet në kulla pritet të tregtohen minimumi nga 2000 euro për metër katror, ndërsa për ambiente tregtare edhe me 10 mijë euro/m2. Kjo, në një kryeqytet, që edhe sot renditet i pesti më i shtrenjtë në Europë, nga fuqia blerëse, sipas Numbeo.
Ndërtuesit dhe zhvilluesit e pasurive të paluajtshme mbeten skeptikë nëse tregu do të jetë në gjendje të absorbojë gjithë shtesën.
“Oferta e re në planifikim e sipër është shumë e lartë dhe vështirë për t’u thithur nga tregu. Duhet theksuar se Tirana aktualisht mbetet një nga tregjet ku stoku i apartamenteve të pashitura është shumë i lartë”, ka pohuar më herët për Monitor, Stela Dhami, drejtore menaxhuese e agjencisë ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme, Colliers International.
Edhe Hajredin Fratari, ndërtues, është i mendimit se Tirana nuk ka fuqi blerëse për apartamente të shtrenjta. “Ka ende pallate shumë të mira që janë gjysmë bosh”, pohon ai. Ai paralajmëron se nga fryrja e ndërtimeve, zhvilluesit e pasurive të paluajtshme mund të bien në gropë, pasi do të krijojë një superofertë.
Frika nga krijimi i një flluske në pasuritë e paliajtshme duket se po sjell dhe tërheqjet e para të investitorëve nga projektet e qiellgërvishtësve.
Fraksion.com