Shkarkohet nga detyra gjyqtari i Tiranës, Bledar Abdullai
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë vendimin për gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Bledar Abdullai duke e shkarkuar nga detyra. Pas seancës dëgjimore të zhvilluar ditën e enjte, trupa gjykuese është shprehur se Bledar Abdullai ka fshehur pasurinë si dhe ka tejkaluar afatet për gjykimin e çështjeve në disa raste.
Sipas KPK, prindërit e Bledar Abdullait janë investitor të një fondi tek një bankë e nivelit të dytë, por nuk i justifikojnë të ardhurat. Por problemet më të mëdha për gjyqtarin e Tiranës janë zbuluar tek bashkëjetuesja e tij.
Pas hetimeve të KPK, bashkëjetuesja e gjyqtarit nuk justifikon një shtëpi në Golem; disa llogari në emër të saj; konkretisht 90 mijë dollarë, 130 mijë euro; një apartament të blerë në Tiranë, një zyrë dhe një garazh me vlerë totale 187 mijë euro.
Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari u justifikua se bashkëjetuesja e tij këto para i ka nga bizneset dhe trashëgimi nga familja.
Gjithashtu KPK ka konstatuar se gjyqtari i Tiranës ka liruar një të burgosur të arrestuar për drogë. Gjyqtari i ka dhënë masën arrest shtëpiak, ndërkohë që apeli i Tiranës e ka rikthyer në burg këtë person. Tjetër shkelje e tij, është tejkalimi i afateve për disa çështje civile, duke i zgjatur ato më shumë se 1 vit e gjysmë pa arsye.
Edhe në këtë rast gjyqtari është justifikuar se ka ndodhur për shkak të ngarkesës në punë.
Fraksion.com