Opozita ruse shfrytëzon pakënaqësitë për të përparuar me qëllimet e saj
Me mijëra vetë protestuan në qytetet ruse të dielën kundër një plani të qeverisë për të rritur moshën e daljes në pension nga 60 në 65 vjeç për burrat dhe nga 55 në 63 për gratë, si një masë kjo për të përballuar një buxhet të tkurrur për pensionet.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, jetëgjatësia e burrave në Rusi llogaritet në vetëm 66 vjeç ndërsa për gratë 77, ndaj dhe një reformë e tillë do t’i detyronte disa njerëz të punonin derisa të vdisnin. Por ndërsa disa rusë po irritohen gjithnjë e më shumë me presidentin Vladimir Putin, të tjerë besojnë se falë udhëheqjes së tij, Rusia po bëhet më e fortë.
Më shumë se 10 mijë vetë morën pjesë në një protestë në qendër të Moskës organizuar nga Partia Komuniste, sindikatat dhe grupet e krahut të majtë. Ndërsa tubime të tilla si ky, u nxitën nga planet e qeverisë për reformë në sistemin e pensioneve, shumë protestues gjithashtu shprehën pakënaqësi ndaj presidentit Putin.
“Mendoj se ajo që po ndodh në vendin tonë aktualisht nuk është e drejtë, ajo çfarë qeveria jonë bën apo Putini”, thotë Arseniy Moshninov banor i Moskës.
Në tubimin e mbajtur në Moskë mori pjesë dhe kundërshtari i presidentit Putin si dhe aktivisti anti-korrupsion Alexey Navalny.
“Kjo nuk është një lloj vjedhje hipotetike, madje nuk është as korrupsion, kjo po u merr në mënyrë të hapur e të pacipë disa njerëzve, me qindra mijëra para madje deri në një milion rubla”, tha ai.
Por shumë vetë, të turpëruar nga humbja e pushtetit të Rusisë në vitet 1980 që pasoi me rënien e Bashkimit Sovjetik, janë krenarë për rikthimin e Rusisë nën udhëheqjen e Vladimir Putinit si një fuqi botërore. Të dielën presidenti mori pjesë në paradën me rastin e Ditës së Marinës në Shën Petersburg.
“Flota ruse zgjidh me sukses detyrat e mbrojtës së vendit, duke kontribuar në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe duke luajtur një rol të rëndësishëm për garantimin e barazisë strategjike”, tha Vladimir Putini.
Shumë rusë nga i gjithë vendi iu bashkuan paradës në Shën Petersburg.
“Kur shoh anijet tona, avionët tanë në veprim, kam një ndjenjë krenarie dhe lumturie”, thotë ky pjesmarrës në paradë.
“Jemi shumë të lumtur që ushtria jonë ka rilindur. Forcat ajrore na kanë befasuar shumë”, thotë një tjetër pjesmarrëse.
Por sipas aktivistëve të opozitës lëvizja e tyre për një Rusi më të drejtë dhe më të lire, po rritet.
“Në vitin 2011 kam marrë pjesë në ngjarje të ngjashme dhe nuk e përmbysëm dot Putinin, por në të njëjtën kohë, shumë prej atyre njerëzve u diplomuan dhe u bënë politikanë të pavarur dhe vazhdojnë të ndryshojnë situatën”, thotë Anastasia Bryukhanova nënkryetare e bashkisë.
Alexey Navalny, kundërshtari kryesor i Vladimir Putinit, u ndalua të kandidonte në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018 pasi u dënua për korrupsion, një veprim që zoti Navalny e cilësoi si të motivuar politikisht. Sipas vëzhguesve të pavarur, votuesit rusë nuk patën mundësi për zgjedhje reale, për shkak të konkurrencës së kufizuar politike që i dha avantazh presidentit në detyrë.
Fraksion.com