AktualitetEkonomiTë fundit

Ndihma ekonomike: BB negociata me qeverinë për të shtuar më shumë familje të varfra

Në shkurt të këtij viti aplikimi i sistemit të ri të Ndihmës Ekonomike nxorri nga skema disa mijëra familje duke ulur me 32 për qind numrin e atyre që përfitonin. Në atë kohë shumë prej familjeve shprehën ankesën se ishin përjashtuar me pa të drejtë dhe se kriteret e përdorura nuk ishin tregues realë të situatës. Kjo bëri që bashkitë të mbyteshin me ankimime, të cilat i transferoheshin më pas Ministrisë së Mbrojtjes Sociale e cila është edhe përgjegjësja për projektin. Por nga ajo kohë duket se edhe vetë insitucionet kanë konstatuar se numri i familjeve të varfra është më i madh sesa ajo që sistemi ka “mbajtur” falë plotësimit të kritereve. Një rishikim i fundit i projektit “Modernizimi i Asistencës Sociale” nga ekipi i Bankës Botërore dhe  publikuar këto ditë tregon se në fakt banka është në negociata me qeverinë për të parë mundësinë e shtimit të numrit të familjeve të varfra në skemë.

 

Çfarë thotë rishikimi i fundit i Bankës për projektin

 

“Vihet re një progres shumë i limituar i zbatimit të projektit që nga vizita e fundit e mbështetjes së zbatimit në dhjetor 2017. Zbatimi i reformës së Ndihmës Ekonomike mbështetur nga projekti po vazhdon me zgjerimin kombëtar nisur në 1 janar 2018 (edhe pse planifikuar për t’u nisur në shtator 2017). Që nga fillimi i zgjerimit në shkallë kombëtare ka pasur një rënie të numrit të përfituesve të Ndihmës Ekonomike (që ranë nga 80 mijë familje në dhjetor 2017 në 54 455 në maj 2018) më shumë e lidhur me pragun konservator të vendosur. Megjithatë treguesi që lidhet me disburisimin ende duhet të arrihet. Ekipi i bankës po punon me klientin për të parë nëse ka mundësi që të futë familje të varfra shtesë në program.

Nën reformën e programit të aftësisë së kufizuar pilotimi i sistemit të ri të vlerësimit të aftësisë së kufizuar po zbatohet vetëm në dy njësi të vogla administrative në Tiranë që nga prilli 2017. Përgatitja dhe miratimi i kuadrit ligjor për një zgjerim më të madh në gjithë njësitë administrative të Tiranës është hapi drejt zgjerimit total në gjithë vendin. Në mënyrë që të mbështetet zbatimi kombëtar i reformës në aftësinë e kufizuar përfshirë forcimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit një financim shtesë në shumën 9.7 milionë euro (apo 11 milionë dollarë) është aprovuar nga Banka Botërore dhe qeveria aktualisht ka mbërritur në parlament. Pritet që financimi shtesë të bëhet efektiv para 15 shtatorit 2018, thuhet në dokumentin e rishikimit të projektit.

 

Shtesa 11 milionë USD, për çfarë do përdoren paratë

 

 

Marrëveshja për shtesën e financimit për projektin e Modernizimit të Asistencës Sociale ka mbërritur tashmë në Kuvend ku mes të tjerash në relacionin shoqërues jepen edhe disa orientime se për çfarë do të përdoren paratë.  Së pari theksohet se do të mundësojnë rishikimin e parametrave të programeve të ndihmës sociale. Së dyti një strategji novatore dhe të mbështetur në përvojën ndërkombëtare për daljen e përfituesve të NE-së dhe integrimin e tyre drejt skemave aktive. Së treti përgatitjen e një politike të rishikuar për sanksionet dhe hartimin e instrumenteve për zbulimin e mashtrimeve e të gabimeve dhe mekanizmave të tjerë të inspektimit social. Së katërti nxitjen e transparencës në komunikim e monitorim-vlerësim, si edhe në angazhimin e qytetarëve në këto procese. Shuma prej 11 milionë dollarësh është dhënë nga Banka Botërore për qeverinë shqiptare si një kredi me afat maturimi 27 vjet ku të paktën 7 vite janë pa pagesë principali. Projekti do të jetë pjesë e parashikimeve të programit buxhetor afatmesëm 2019 – 2021 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Aktualisht nëse i referohemi projektit origjinal në fuqi pa shtesën prej 11 milionë USD totali i tij rezulton 60.84 milionë dollarë nga të cilat 56.4 milionë janë të parashikuar për komponentin e parë të forcimit dhe zbatimit të performancës së programeve të Ndihmës Sociale dhe 4.44 milionë USD asistencë teknike për forcimin e kapaciteteve zbatuese të programit. Renditja në rishikimin e parë të programit ishte “modestësisht i kënaqshëm” ndërsa tani ekipi e ka vlerësuar si “modestësisht jo i kënaqshëm./Monitor

 

Fraksion.com