Bilancet 2017, nesër afati i fundit për depozitimin në QKB ndryshe gjobë 15 mijë lekë
E marta e kësaj javë është afati i fundit për depozitimin e pasqyrave financiare nga ana e bizneseve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB). Vetë QKB më herët ka shpjeguar se subjektet që kanë detyrimin të depozitojnë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, kur mbajtja e tyre është e detyrueshme, detyrohen në çdo rast t’i depozitojnë këto dokumente jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar.
Detyrimin për depozitimin e dokumenteve e kanë subjektet që janë regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim fitimi.
Por çfarë duhet të depozitojnë konkretisht këto biznese pranë QKB:
-Së pari pasqyrat financiare vjetore të skanuara ne format PDF.
-Së dyti raportin e auditimit dhe ecurisë së veprimtarisë (kur mbajtja e tyre është e detyrueshme) dhe së treti vendimin për miratimin e pasqyrave financiare (sipas kërkesave ligjore).
Nëse një subjekt nuk përmbush këtë detyrim, brenda afatit ligjor të përcaktuar në ligjin nr.9723 datë 3.5.2007 “Për Regjistrimin e Biznesit”, i ndryshuar, atëherë QKB, së bashku me zbatimin e sanksionit të parashikuar në pikën 3, të nenit 74, të këtij ligji, vepron në përputhje me parashikimet e shkronjës “ë”, të nenit 54, të këtij ligji.
Kjo do të thotë që subjekti do të gjobitet në vlerën 15 mijë lekë sikurse e sanksionon pika 3 e nenit 74 e ligjit.
Mënyra e depozitimit
Depozitimi i dokumentave të sipërcituara mundësohet vetëm nëpërmjet aplikimi online në portalin qeveritar e-albania, duke ndjekur të gjitha hapat e procedurës për kryerjen e aplikimit. Formati elektronik i ruajtjes së pasqyrave financiare, duhet të jetë në PDF, ku cdo dokument të ngarkohet si një dokument i vetëm. Individi i cili do të kryejë aplikimin, duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti ose pasaportë biometrike. Shërbimi ofrohet pa pagesë.
Qendra Kombëtare e Biznesit ka nënvizuar se përjashtim nga aplikimi online bëjnë subjektet me administrator të huaj dhe shoqëritë e kursim kreditit, aplikimet e të cilëve do të vijojnë të kryhen vetëm në sportelet e shërbimit të QKB-së./Monior
Fraksion.com