AktualitetTë fundit

Save the Children: Fëmijët emigrantë abuzohen seksualisht

Fondacioni Ndërkombëtar “Save the Children” ka dalë në përfundimin se fëmijët emigrantë që tentojnë të kalojnë në Francë përmes Italisë veriore, detyrohen të shiten për seks në këmbim të një kalimi të sigurt të kufirit, ushqimit apo një vendi për të fjetur.

Minorët, pjesa më e madhe e të cilëve rezulton nga Afrika sub-sahariane, detyrohen të prostituojnë pasi nuk mund t’i përballojnë dot pagesat e kërkuara nga shoferët që variojnë nga 50 deri në 150 euro.

“Bëhet fjalë për të mitur dhe më të rrezikuara janë vajzat, pjesë e fluksit të padukshëm të shumë minorenëve emigrantë të pashoqëruar në tranzit në kufirin verior të Italisë, në përpjekje për t’u bashkuar me të afërmit e tyre në vende të tjera evropiane, që nuk kanë mundësinë të udhëtojnë të sigurt në trajektoret e ligjshme”, ka thënë drejtuesja e programeve për Italinë dhe Evropën e Save the Children.

Ajo thotë se situata në kufirin verior është përkeqësuar që nga heqja e një kampi të improvizuar përgjatë lumit Roja në muajin prill.

Organizata thekson se duhet të ketë përpjekje më të mëdha për mbrojtjen e fëmijëve emigrantë nga shfrytëzimi seksual, duke përfshirë këtu edhe fuqizimin e rrjeteve anti trafik.

 

Fraksion.com