Fëmijët e emigrantëve pa shtetësi, nuk figurojnë të regjistruar
Fëmijë të prindërve emigrantë që më pas u është dashur të rikthehen në Shqipëri kanë mbetur pa shtetësi, pasi ata nuk figurojnë të regjistruar në zyrat e gjendjeve civile.
Studimi i bërë nga UNHCR ka identifikuar 1431 persona pa shtetësi për vetëm katër muaj, ku mbi 90% e tyre janë fëmijë.
“Në vendin ku kanë emigruar prindërit kanë dhënë të dhëna të tjera dhe në zyrat e gjendjeve civile këtu nuk figurojnë ose ka shtetas që kanë dhënë emër tjetër dhe në letrat zyrtare kanë emër tjetër. U duhet të hapin gjyq që kërkon shpenzime kohe. Kështu që fëmijët kanë mbetur pa regjistruar”, ka shpjeguar Pablo Zapata, përfaqësues i UNHCR Shqipëri.
Zapata ka vijuar të thotë se këta fëmijë janë të rrezikuar ndaj të gjitha formave të abuzimit dhe diskriminimit, pasi nuk gëzojnë të drejtat e tyre.
“Pa shtetësi është si fantazmë. Nuk mund të regjistrohen në shkollë, në shërbime publike”, ka thënë më tutje ai.
Një numër i madh shqiptarësh pa shtetësi është konstatuar në Greqi, Gjermani dhe Angli. Por përfaqësuesit e UNHCR thonë se ka nisur një bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe organizatat joqeveritare për të mundësuar asistencë ligjore falas, në mënyrë që lehtësohen procedurat për regjistrimin e fëmijëve të emigrantëve të kthyer.
Fraksion.com