Zjarret masive në Kaliforni shkaktojnë viktima dhe dëme
Zjarret masive në Kaliforninë veriore kanë shkatërruar 500 ndërtesa dhe zyrtarët thonë se rreth 5 mijë ndërtesa të tjera kërcënohen nga flakët.
Dy zjarrfikës kanë humbur jetën, duke luftuar me zjarrin.
Dhjetra mijëra njerëz braktisën shtëpitë, kur flakët arritën në qytetin Redding, me më tepër se 90 mijë banorë.
Sipas Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtes nga Zjarret, rreth 17 mijë hektarë tokë janë shkrumbuar.
Në përhapjen e zjarreve kanë ndihmuar erërat e forta, që kanë shkulur me rrënjë pemët.
Ndërsa në pjesën jugore të shtetit, zjarri që mendohet të jetë shkaktuar qëllimisht, detyroi evakuimin e 12 mijë banorëve të qytetit Idyllwild. Autoritetet kanë arrestuar një person të akzuar për vënien e zjarrit.
Guvernatori i shtetit, Jerry Brown deklaroi gjendjen e emergjencës në të dy rajonet e Kalifornisë. Në kërkesën e tij për ndihmë federale thuhej se ndihma ishte e nevojshme për të parandaluar “katastrofën e pashmangshme”.
Fraksion.com