Si po ndryshon tregu i telefonisë celulare; Të ardhurat ranë me 13%
Të ardhurat totale të sipërmarrësve nga komunikimet elektronike për vitin 2017 ranë ndjeshëm me 13% në raport me një vit më parë, duke arritur në 37 miliardë lekë. Si po formatohet tregu i telefonisë celulare, pas daljes së Plus dhe rënies së trafikut ndërkombëtar. Pse ndryshuan tarifat e tre operatorëve së fundmi?
Tregu i telefonisë celulare po ndryshon me shpejtësi drejt datave, broadband, teknologjive të reja dhe shërbimeve nëpërmjet celularit dhe internetit, duke përfshirë shërbimet financiare dhe bankare, transportit. Interneti e ka bërë komunikimin më të lirë, duke ndikuar në uljen e ndjeshme të trafikut ndërkombëtar, që është një nga burimet kryesore të të ardhurave të kompanive.
Kjo ka sjellë një rënie të lartë të të ardhurave të tregut të telefonisë celulare. Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), të ardhurat totale të sipërmarrësve nga komunikimet elektronike për vitin 2017 ranë ndjeshëm me 13% në raport me një vit më parë, duke arritur në 37 miliardë lekë. Edhe normat e fitimit janë ulur ndjeshëm.
Një tjetër zhvillim ishte dhe dalja e operatorit të katërt Plus Communication në gjysmën e dytë të vitit 2017, duke e lënë tregun me tre operatorë, Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom-celular. AKEP vlerëson se pasi hyrësi i fundit ka dalë de facto nga tregu dhe struktura e tregut ka ndryshuar drejt rritjes së përqendrimit dhe dominimit të liderit të tregut/dy sipërmarrësve me pjesë më të madhe tregu.
Lidhur me ndryshimin e fundit të tarifave dhe ofertave për internetin nga operatorët celularë, AKEP thotë se tregu përkatës i shërbimeve celulare me pakicë aktualisht është një treg i derregulluar dhe sipërmarrësit janë të lirë të ofrojnë paketat e tyre me çmime sipas kërkesë-ofertës dhe duke zbatuar detyrimin e barazimit të minutave për thirrjet brenda me jashtë rrjetit të sipërmarrësit.
Në një intervistë të zgjeruar për “Monitor”, z. Pajtim Melani, Drejtor i Tregjeve dhe Masave Rregullatore në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) jep më shumë detaje për zhvillimet e fundit në tregun e komunikimeve elektronike.
Pajtim Melani, Drejtor i Tregjeve dhe Masave Rregullatore në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP):
Si do ta vlerësonit ecurinë e tregut të telefonisë celulare në vitin 2017 dhe pjesën e parë të 2018-s?
Tregu i komunikimeve elektronike gjatë vitit 2017 ka shënuar zhvillime të rëndësishme, të cilat kanë efekte të ndjeshme te konsumatorët, gjithashtu edhe tek ofruesit e këtyre shërbimeve. Në mënyrë specifike, panorama e zhvillimeve të tregut për këtë periudhë është përshkruar në raportin vjetor 2017, i cili gjendet i publikuar në faqen web të AKEP.
Treguesi më domethënës që tregon dhe trendin e zhvillimeve në tregjet e komunikimeve elektronike është numri total i përdoruesve të rrjeteve celulare që kanë përdorur aksesin broadband në internet të paktën një herë gjatë vitit 2017 ishte rreth 3.3 milionë, ndërsa numri i përdoruesve aktivë (përdorim të internetit në tre muajt e fundit) ishte rreth 2 milionë, që përbën rritje vjetore me 22.2% dhe 17.6% respektivisht.
Penetrimi për popullsi i përdoruesve aktivë celularë të aksesit broandband nga rrjetet 3G/4G në fund të vitit 2017 arriti në 72% krahasuar me 60% në fund të vitit 2016. Në vitet 2016-2017 vihet re një rritje e ndjeshme e trafikut hyrës kombëtar në rrjetet celulare (efekti i masës rregulluese të mosdiskriminimit në thirrjet on-net/off-net) dhe përdorimit të shërbimeve të aksesit broadband (efekti i fillimit të ofrimit të shërbimeve 4G).
Numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband celular ka rritje vetëm me 65% në 2013-2017, por volumi i të dhënave është rritur më shumë se 18 herë gjatë kësaj periudhe. Rritje të ndjeshme këta tregues kanë pasur edhe në vitin 2017 krahasuar me vitin 2016, ku numri i përdoruesve të shërbimeve 3G/4G është rritur me 20%, ndërsa volumi i të dhënave është dyfishuar.
Pas një periudhe me të ardhura të qëndrueshme të sektorit në 2014-2016, në vitin 2017 u vu re një rënie e ndjeshme e të ardhurave nga komunikimet elektronike, e cila vlerësohet të jetë shkaktuar kryesisht nga rënia e të ardhurave të shërbimeve me shumicë të operatorëve celularë. Të ardhurat totale të sipërmarrësve nga komunikimet elektronike për vitin 2017 vlerësohet të jenë 37 miliardë lekë, që përbën një reduktim me rreth 13% në krahasim me vitin 2016, kur të ardhurat ishin rreth 42.4 miliardë lekë.
Të ardhurat nga ofrimi i shërbimeve në rrjetet celulare u reduktuan me 12%, ndërsa të ardhurat nga rrjetet fikse u reduktuan me 14%. Të ardhurat totale nga shërbimet me pakicë në rrjetet celulare në vitin 2017 arritën në 17.2 miliardë lekë, që përbën një rritje të vogël me 0.4%. Rënia më e madhe e të ardhurave të operatorëve celularë ka ndodhur në të ardhurat e shërbimeve me shumicë, ku të katër operatorët kanë shënuar rënie të ndjeshme.
Tkurrja e ndjeshme e të ardhurave me shumicë ka ardhur kryesisht për shkak të rënies së madhe të trafikut hyrës ndërkombëtar (rreth 44%) dhe rrjedhimisht të të ardhurave nga terminimi i këtyre thirrjeve (rreth 3.4 miliardë lekë), duke ndikuar negativisht edhe në nivelet dhe normat e fitimit të operatorëve celularë, për shkak të peshës së lartë të këtyre të ardhurave në të ardhurat totale dhe fitimet e kompanive celulare. Rënie të ndjeshme të trafikut hyrës ndërkombëtar dhe të ardhurave nga terminimi dhe tranzitimi i këtyre thirrjeve ka pësuar edhe Albtelecom si operator rrjeti fiks.
Numri i përdoruesve aktivë (përdorim në 3 muajt e fundit të vitit) të telefonisë celulare në vitin 2017 arriti në rreth 3.2 milionë që përbën një rënie me 5.9%, në krahasim me vitin 2016. Rënie të ndjeshme ka pasur terminimi i thirrjeve hyrëse ndërkombëtare, me 44% në vitin 2017 krahasuar me vitin paraardhës, por me një rënie rreth 4 herë në krahasim me vitin 2013. Gjatë vitit 2017, një përdorues celular aktiv (që ka kryer komunikim në 3 muajt e fundit) ka kryer mesatarisht 160 minuta thirrje dalëse, ka dërguar 34 mesazhe SMS në muaj dhe ka konsumuar rreth 2.06 GB në internet broadband. Për këtë konsum mesatar, një përdorues aktiv celular ka paguar mesatarisht 509 lekë/muaj (me TVSH) dhe rreth 3.12 lekë/minutë (me TVSH).
Numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse në fund të vitit 2016 ishte rreth 248 mijë, ndërsa në 2017 arriti në rreth 244 mijë, që përbën një rënie me 2%. Megjithëse shërbimet e telefonisë nga rrjetet fikse kanë pasur reduktim të ndjeshëm në 5 vitet e fundit, shërbimet e aksesit broadband nga rrjete fikse kanë pasur rritje të qëndrueshme vjetore gjatë kësaj periudhe kohore. Numri pajtimtarëve me akses broadband fiks në fund të vitit 2017 arriti në rreth 294 mijë, që përbën një rritje me rreth 10.5% në krahasim me vitin 2016. Në vitin 2017, norma e penetrimit të aksesit broadband nga rrjete fikse ishte 37.2% për familje dhe 10.4% për popullsi. Megjithëse numri i pajtimtarëve me akses broadband është në rritje të qëndrueshme, normat e penetrimit janë shumë më të ulëta se në vendet e BE-së dhe të rajonit.
Numri i pajtimtarëve të rrjeteve fikse që kanë akses në shërbime të integruara dyfishe ose trefishe (kombinim Telefoni/Internet/ TV) në fund të vitit 2017 arriti në rreth 198 mijë, rreth 6.5% më shumë se në vitin 2016. Në vitin 2017, pajtimtarët me paketa të integruara përbënin 67% të pajtimtarëve me akses broadband në rrjete fikse, ndërsa 34% janë me paketa trefishe (Telefoni, Internet dhe TV).
Teknologjia mbizotëruese për ofrimin e aksesit broadband në rrjete fikse është DSL e ndjekur nga kabllor koaksial. Shumica e lidhjeve DSL janë me rrjete të kombinuar fibër optike dhe bakri (FTTN/FTTC). Shpejtësia më e përdorur për akses broadband fiks është 4-10 Mbps me 63% në 2017. Të dhënat tregojnë se proporcioni i pajtimtarëve me lidhje broadband me shpejtësi më të ulët se 4 Mbps ka ardhur në rënie, ndërsa për shpejtësi mbi 4Mbps ka ardhur në rritje.
Si ka ndryshuar tregu i telefonisë celulare pas daljes së Plus në fund të vitit të kaluar?
Një nga ndryshimet kryesore të ndodhura në tregun celular ishte transferimi i të drejtave të përdorimit të radio-frekuencave nga Plus Communications te Vodafone Albania dhe Telekom Albania dhe po ashtu mbyllja e aktivitetit të ofrimit të shërbimeve celulare nga Plus Communication më datë 31.12.2017.
Nga data 1 janar 2018, Plus nuk ka ofruar shërbime për pajtimtarët dhe në këtë mënyrë, ka ndryshuar struktura e tregut të shërbimeve celulare nga 4 në 3 sipërmarrës, që është reflektuar dhe në ndarjen e tregjeve përkatëse mes tre sipërmarrësve aktivë në treg.
AKEP, mbështetur edhe në shqetësimin e Komisionit Europian se “Risku më i lartë për tregun e komunikimeve elektronike nuk janë më çmimet/tarifat e larta, por përjashtimi i konkurrentëve nga tregu” ka zhvilluar analizat e tregjeve përkatëse të termnimit, akses origjinimit dhe tregut të pakicës për të adresuar problemet e konkurrencës dhe marrjen e masave propocionale rregullatore, duke nisur nga tregjet e rrjedhjes së sipërme (shumicës) e deri te masat rregullatore në tregjet me pakicë, nëse masat rregullatore në tregjet e shumicës janë të pamjaftueshme.
Dalja nga tregu e operatorit Plus Communication e ndryshoi strukturën e tregut nga 4 (katër) në 3 (tre) operatorë, duke vijuar trendin rritës të indeksit të përqendrimit të tregut dhe për më tepër, dy sipërmarrësit me pjesën më të madhe në treg kanë rritur ndjeshëm kapacitetet konkurruese nëpërmjet marrjes 50 me 50% të të drejtave të përdorimit të frekuencave që zotëronte në përdorim, duke thelluar avantazhin krahasues të hyrësve të parë në treg.
Përveç barrierave financiare, teknike dhe juridiko-procedurale për hyrjen në treg, dalja nga tregu e hyrësit të fundit në treg, Plus Communication, është barrierë e konsiderueshme për çdo hyrës të ri në treg.
Në këto kushte, është shumë e vështirë të mendohet, që në tregun me pakicë celular, të mund të ndodhin hyrje të reja, pa ndërhyrjen rregullatore pasi për rreth 9 (nëntë) vite, Plus Communcation ishte hyrja e fundit në treg dhe tashmë pas transferimit të frekuencave te dy sipërmarrësit Vodafone dhe Telekom Albania, hyrësi i fundit ka dalë de facto nga tregu dhe struktura e tregut ka ndryshuar drejt rritjes së përqendrimit dhe dominimit të liderit të tregut/dy sipërmarrësve me pjesë më të madhe tregu.
Ndryshe nga tregu shqiptar i telefonisë celulare, ku pjesa e tregut e operatorit lider në treg, ka tendencë në rritje, dinamika e tregjeve në vendet e BE ka lëvizur në kah të kundërt, pasi pjesa e tregut e operatorit kryesor celular në vendet e BE-së, mesatarisht ka qenë në reduktim, për të arritur në 36% në 2012. Ndërkohë nga të dhënat e KE-së në Digital Agenda rezulton se tendenca e pjesës së tregut të operatorit lider celular (Mesatarja) ka tendencë rënëse nga 37.9% në vitin 2009 në 34.3% në vitin 2015.
Sa u përket zhvillimeve në treg pas daljes së Plus, të dhënat më të fundit statistikore të disponueshme janë për tremujorin e parë të vitit 2018 dhe tregojnë se numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare, sipas kartave SIM në fund të T1 2018, ishte rreth 5,179,524 që përbën një ulje me 6.8% në krahasim me tremujorin e mëparshëm, dhe një ulje me 1.6% në krahasim me T1 2017. Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë T1 2018 arriti në rreth 2.8 milionë, që përbën një rënie me rreth 20.4% me T4 2017 dhe rritje me 16.6% në krahasim me T1 2017, ndërkohë që numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në internet nga rrjetet celulare në T1 2018 ishte rreth 1.9 milionë që përbën një ulje me 7.4% me tremujorin e mëparshëm, dhe një rritje me 6.7% në krahasim me tremujorin e parë 2017.
Totali i thirrjeve dalëse të gjeneruara nga pajtimtarët celularë në Shqipëri, në T1 2018, ishte rreth 1.6 miliardë minuta, me një ulje prej 3.8% në krahasim me tremujorin paraardhës dhe me një rënie prej 8.2% me të T1 2017. Sasia e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare (off-net) u ul me 11.5% në krahasim me T4 2017 dhe u ul me 9.4% në krahasim me një vit më parë në T1 2017; Sasia e thirrjeve on-net u rrit me 3.1% në krahasim me T4 2017 dhe pësoi një rënie me 6.2% në krahasim me T1 2017.
Proporcioni i thirrjeve on-net/off-net në T1 2018 ishte 57%/41% krahasuar me 56%/41% në T1 2017. Numri i mesazheve SMS të dërguara nga pajtimtarët e rrjeteve celulare në T1 2018 ishte rreth 314 milionë, që përbën një rënie me 6% krahasuar me T4 2017 dhe një rënie me 13.3% me T1 2017;
– Sasia e trafikut data (Internet) në rrjetet celulare gjatë T1 2018 ishte rreth 15 milionë GByte. Një përdorues aktiv i aksesit broadband celular ka përdorur 2.66 GB internet në muaj në T1 2018, që përbën një rritje me 15.9% në krahasim me T4 2017 dhe një rritje 46.6% krahasuar me T1 2017.
– Konsumi mesatar mujor për përdorues aktivë i shërbimeve celulare gjatë T1 2018 ishte: 182 minuta dalëse, 38 SMS dhe 2.66 GB Internet. Krahasuar me T4 2017, konsumi mesatar i thirrjeve pati një rritje me 20.9%, konsumi mesatar i SMS-ve dhe konsumi mesatar i internetit pati rritje respektivisht me 18.1% dhe me 15.9%.
Nëse mund të bëni një vlerësim si po riformatohet tregu i telefonisë celulare në linjë me zhvillimet e fundit teknologjike (përdorimi më i lartë i internetit dhe rënia e bisedave zanore me brenda dhe jashtë).
Ashtu si në të gjitha vendet e tjera, tendenca e tregut të shërbimeve celulare po ndryshon me shpejtësi drejt datave, broadband, teknologjive të reja dhe shërbimeve nëpërmjet celularit dhe internetit, duke përfshirë shërbimet financiare dhe bankare, transportit etj.
Në përgjigjet e pyetjeve më lart janë dhënë të dhënat sasiore dhe cilësore, se si po ndryshon struktura e tregut sipas të ardhurave dhe përdorimit të shërbimeve ku rezulton se treguesi me rritjen më të fortë është përdorimi i internetit si nga rrjetet celulare ashtu dhe ato fikse dhe sidomos paketat me disa shërbime të integruara të shërbimit telefonisë fikse ose celulare, internet dhe TV.
AKEP e vlerëson me prioritet nxitjen e investimeve në teknologji dhe pas konsultimit publik, AKEP ka miratuar vendimin për miratimin e përfundimit të këshillimit publik “Mbi dhënien e të drejtave të përdorimit të frekuencave të brezit 800 MHz (790-862 MHz)” dhe propozimin për Ministrin për vazhdimin e procedurës për dhënien në përdorim të tyre.” Këto frekuenca pritet të rrisin cilësinë e shërbimeve celulare në brezat e frekuencave 790/862 MHz dhe të rrisin mbulimet me shërbime celulare dhe internet në zona gjeografike, si zonat rurale, zona të caktuara gjeografike, zonat turistike etj.
Bazuar në ecurinë e sektorëve të komunikimeve elektronike dhe të shërbimeve postare, problematikës së evidentuar në këta sektorë, si dhe me qëllim përmbushjen e objektivave rregullatore të përcaktuara në ligjet organike për komunikimet elektronike dhe shërbimet postare, si dhe në politikat dhe strategjitë përkatëse sektoriale të qeverisë, AKEP ka evidentuar katër fusha kyçe ku duhet të fokusojë punën e tij gjatë vitit 2018:
1. Kushte të favorshme për investitorët
2. Nxitje e konkurrencës së ndershme ndërmjet operatorëve të rrjeteve dhe ofruesve të shërbimeve
3. Përfitimet për konsumatorët
4. Efikasitet i brendshëm i AKEP dhe partneriteti me institucionet në vend.
Së fundmi, operatorët kanë ndryshuar ofertat në tregun e brendshëm, ku konstatohet rritje e çmimeve dhe njëkohësisht ulje e ofertës për internetin. Si i vlerësoni këto ndryshime dhe sa janë konsultuar kompanitë me ju për këto ndryshime?
Tregu përkatës i shërbimeve celulare me pakicë aktualisht është një treg i derregulluar dhe sipërmarrësit janë të lirë të ofrojnë paketat e tyre me çmime sipas kërkesë-ofertës dhe duke zbatuar detyrimin e barazimit të minutave për thirrjet brenda me jashtë rrjetit të sipërmarrësit, që është një detyrim në tregun me shumicë të terminimit të thirrjeve, por me efekte dhe i matshëm në tregjet e pakicës, pasi çdo paketë standarde/ofertë duhet të respektojë këtë masë rregullatore.
Gjatë kësaj periudhe, AKEP ka ndërhyrë në treg në funksion të mbrojtjes konsumatore me tre vendime të rëndësishme si vijon;
Nga muaji qershor, kompanitë celulare kanë kthyer paketat 30-ditore. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i ka detyruar kompanitë celulare të heqin dorë nga tarifimet 4-javore për abonentët me parapagesë. Në mars të vitit 2016, të tre kompanitë e telefonisë celulare ulën kohëzgjatjet e paketave të komunikimit me parapagesë nga 30 ditë në 28 ditë, duke rritur kostot vjetore të klientëve për këto shërbime me rreth 6.5%. Ulja, kur ndodhi në mars 2016, e ditëve të paketave standarde nga 30 në 28 ditë, solli një rritje të çmimit të paketave, në mënyrë të tërthortë me 6.5%, ndërkohë solli një abonim ose kosto shtesë për një muaj, pasi viti filloi të tarifohej me 13 muaj nga 12 muaj.
Nga ana tjetër, AKEP i ka dhënë zgjidhje edhe një shqetësimi tjetër që lidhej me tregun e telefonisë celulare, portabilitetit të numrit, e thënë ndryshe mundësisë ligjore që ka çdo qytetar për të ndërruar kompaninë duke mbajtur të njëjtin numër. AKEP, me ndryshimin e titullarit, ka ndryshuar qasjen, ka ndryshuar rregulloren dhe tashmë rregullorja e re për portabilitetin i mundëson çdokujt që të portojë numrin brenda 24 orëve.
Gjithashtu AKEP ka miratuar edhe disa ndryshime dhe plotësime në rregulloren ~ Publikimin e informacionit për tarifat, si dhe kushtet e aksesit dhe përdorimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike, duke detyruar sipërmarrësit të paraqesin në AKEP informacionin mbi tarifat e shërbimeve, si dhe çdo ndryshim të tyre me arsyetimet mbështetëse, jo më vonë se 15 ditë para hyrjes në fuqi të tarifave ose ndryshimeve të tyre.
Sipërmarrësit e shërbimeve publike të komunikimeve elektronike të njoftojnë, nëpërmjet mjeteve të informimit publik, çdo ndryshim në tarifat e shërbimeve, jo më pak se 7 ditë përpara hyrjes në fuqi të tyre ose të ndryshimeve dhe ky njoftim duhet të bëhet jo më pak se 3 ditë rresht;
Sipërmarrësit e shërbimeve publike të komunikimeve elektronike duhet të publikojnë në faqen e tyre të internetit kushtet e përgjithshme të kontratave tip dhe t’ia paraqesin ato AKEP-it për vlerësim, të paktën, 15 ditë para publikimit sipas nenit 98 pika 5 të Ligjit.
Sipërmarrësit e shërbimeve publike të komunikimeve elektronike duhet të njoftojnë pajtimtarët për çdo modifikim në kushtet e kontratave për jo më pak se 30 ditë përpara në përputhje me nenin 99 pika 3 të Ligjit.
Sipërmarrësit, të cilëve AKEP u ka vendosur detyrime të veçanta për tarifat me pakicë, duhet të aplikojnë afatet dhe rregullat e përcaktuara nga AKEP në mënyrë specifike. Aktualisht për asnjë nga sipërmarrësit nuk ka detyrime specifike të përcaktuara në tregun e shërbimeve celulare me pakicë për të cilat duhet të konsultohej në AKEP për ta kaluar testet e margin squeese para bërjes efektive të tyre./Monitor
Fraksion.com