Kosovë: Marrëveshja milionëshe përplas pushtetin dhe opozitën
Mosratifikimi i Marrëveshjes IPA 2017, prej së cilës Kosova do të përfitonte miliona euro ka përplasur pushtetin dhe opozitën. Në sallë ishin 84 deputetë, megjithatë kjo marrëveshje mori vetëm rreth 60 vota pasi opozita nuk e votoi në shenjë proteste ndaj qeverisë “Haradinaj”, e cila sipas opozitarëve duhet të bjerë. Pas këtij votimi është zhvilluar debat i ashpër ndërmjet krerëve të koalicionit qeverisës dhe opozitarëve, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Koalicioni qeverisës nuk ka arritur t’i sigurojë 80 votat e nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes IPA me Bashkimin Evropian, prej së cilës Kosova përfiton miliona euro, për shkak se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdojnë të mos i votojnë projektligjet që paraqiten në Kuvend pasi kërkojnë rënien e qeverisë “Haradinaj”. Mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje ka përplasur kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin dhe kryeministrin Ramush Haradinajn me përfaqësuesit e opozitës, madje pati konfrontime edhe në mes të vet opozitarëve.
Duke iu kundërpërgjigjur kryeparlamentarit Veseli, i cili përmendi milionat që humben me mosratifikimin e IPA-s, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku tha se po i përmend milionat e humbur nga koalicioni siç janë 53 milionë euro për “Bechtel Enken”, 11 milionë euro të dhëna për serbët në veri, “36 milionë euro për t’i mbuluar humbjet e militantëve partiakë në PTK dhe 80 milionë euro për lista fiktive të veteranëve të luftës”.
“Interesi i Kosovës është ndërprerja e punës së këtij koalicioni që bën kaq shumë dëme, jeni të padijshëm, jeni të rrezikshëm, rrjedhimisht të dëmshëm. Hierarkinë e dëmeve të Kosovës, lart jeni ju, ligjet janë krejt poshtë. Unë i ftoj edhe një herë partnerët e tjerë të opozitës që të vazhdojnë bojkotimin e institucioneve të Kosovës në mënyrë që të kursejmë dëmin që po i bëhet Kosovës”, tha ai.
Kurse kryetari i Kuvendit Kadri Veseli i tha Abdixhikut që të ketë kujdes me kualifikimet që ua bënë deputetëve. “Kualifikimet duhet të kenë shumë moral, burrni, dijeni dhe traditë se ajo që e fole ti më herët as të jetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, jo ne të vegjlit këndej të padijshëm, të rrezikshëm, mos me kualifikime se të gjithë kanë dinjitet. Kujdes t’u kisha lutur, ndaj respekt se secila prej nesh familja ka bërë për të bërë një gjysmë shkolle, pastaj ti nuk je ligjërues, as nuk je profeti Muhamet. Të padijshëm, të rrezikshëm janë çështje të rënda, unë nuk ta ndërpreva fjalën, por tjetër herë ta ndërpres dhe kam të drejtë”, tha ai
Fraksion.com