Ushtarakët iranianë kërcënojnë SHBA
Pas kërcënimit më të fundit të Presidentit të SHBA, shefi i njësisë elitë të Iranit reagon me fjalë drastike: “Hajdeni, ne jemi gati”
“Ne jemi fare pranë, madje atje, ku nuk na prisni. Hajdeni. Jemi gati. Po ta nisni ju luftën, ne do ta përfundojmë”, tha Soleimani sipas radiostacionit iranian Al Alam, të cituar sot nga revista Spiegel. SHBA do të njihnin fuqinë e vendit dhe aftësinë për luftë asimetrike, tha ai më tej.
Soleimani drejton brigadën Kuds, e cila si njësi elitare ka detyrat e një shërbimi informativ.
Përgjigja e ushtarakut me rang të lartë ka lidhje me reagimin e Presidentit Trump ndaj fjalimit të së martës të Presidentit iranian Rohani. Në të Rohani i pati paralajmëruar SHBA për “nënën e të gjitha betejave”.
“Ti (Trump) na kërcënove se do të paguajmë një çmim siç e kanë paguar atë pak vende. Trump, kjo është gjuha e klubeve të natës dhe e sallave të kumarit”, tha Soleimani, përgjegjës edhe për operacionet e Rojeve Revolucionare jashtë vendit.”
Që prej marrjes së postit, Trumpi e kërcënon udhëheqjen iraniane herë pas herë. Në maj ai shpalli largimin e SHBA nga marrëveshja atomike me Iranin. Që atëherë janë shtuar kërcënimet verbale midis qeverive në Uashington dhe në Teheran. Një nga objektivat e deklaruara të SHBA është që deri në fillim të nëntorit të bllokojnë eksportet e naftës të Republikës Islamike.
Fraksion.com