AktualitetBota+Të fundit

Trump i jep ultimatum Erdoganit: Liro pastorin, ose përballu me sanksionet

Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar se do të ndëshkojnë me sanksione Turqinë, nëse nuk liron pastorin amerikan.

Edhe pse në samitin e fundit të NATO-s Trump dhe Erdogan u panë shpesh nën shoqërinë e njëri-tjetrit, kjo nuk e ka penguar Presidentin amerikan t’i japë një ultimatum këtë të enjte homologut turk. Shkak është bërë mbajtja në paraburgim prej 2016-ës të një pastori amerikan, të cilin Ankaraja e akuzon për lidhje me organizatat terroriste PKK dhe FETO.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin sanksione të mëdha ndaj Turqisë për burgosjen për një kohë të gjatë të pastorit Andrew Brunson, një i krishterë shembullor, familjar dhe njeri i mrekullueshëm. Ai po vuan së tepërmi. Ky njeri i pafajshëm i fesë duhet të lirohet menjëherë”, shkroi Trump në një mesazh kërcënues për Turqinë në Twitter.

 

Edhe më i ashpër ka qenë në gjuhën e tij zv/Presidenti amerikan, Mike Pence, më herët të enjten. “Kam një mesazh për Presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe qeverinë turke në emër të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lirojeni pastorin Andrew Brunson TANI, ose përgatituni të përballeni me pasojat… Nëse Turqia nuk ndërmerr veprime të menjëhershme për të liruar këtë njeri të pafajshëm të fesë dhe për ta dërguar në atdheun e tij, SHBA-të do të vendosin sanksione të ashpra ndaj Turqisë derisa Brunson të jetë i lirë”, shkroi Pence në dy postime në Twitter.

Brunson është një pastor nga Karolina e Veriut, i cili ka jetuar në Turqi për më shumë se dy dekada, por akuzohet nga qeveria turke për lidhje me organizatat terroriste. Ai u burgos pak pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit, në Korrik 2016.

Pas presionit amerikan, gjykatat turke vendosën pak ditë më parë ndryshimin e masës së sigurisë për Brunson nga arrest me burg, në arrest shtëpie, por kjo duket se nuk e ka kënaqur administratën amerikane, e cila kërkon lirimin e plotë të tij.

 

Fraksion.com