AktualitetTë fundit

Teatri sjell debat tek këshilli bashkiak; Opozita largohet nga mbledhja

Mbledhja e fundit e Këshillit bashkiak të Tiranës është shoqëruar me debate për ligjin e ri për Teatrin Kombëtar. Këshilltarët e djathtë kërkuan që Parlamenti të tërheqë ligjin dhe t’i kthehen kompetencat Këshillit bashkiak për tjetërsimin e pronës. Në kundërpërgjigje të akuzave kryebashkiaku Veliaj u shpreh se në kohën kur PD ishte në pushtet e ka tjetërsuar pronën private me VKM.

Edhe pse nuk ishte në rendin e ditës, debati për ligjin e Teatrit ka hapur mbledhjen e fundit të Këshillit bashkiak të Tiranës.

Këshilltarët e opozitës kanë braktisur mbledhjen pas akuzave që ata i drejtuan Veliajt për ndërtimin e Teatrit të ri.

Kreu i këshilltarëve të djathtë, Kreshnik Çollaku, i kërkoi Parlamentit që të tërheqë ligjin për Teatrin dhe t’i kthejë kompetencat këshillit bashkiak për tjetërsimin e pronës së Bashkisë.

Në Tiranë ka një konflikt, konflikti për Teatrin. Janë përfshirë artistë, shoqëri civile, pedagogë, ndërkobnëtarë. Secili ka kauzat dhe tezat e veta, dikush e mbron dhe dikush e kundërshton. Por thelbi i këtij konflikti në gjykimin ti nuk është Teatri, ka dalë në mënyrë rastësore, i ka zënë rrugën një projekti tjetër që ka vite e vite që piqet, nuk realizohet dhe mesa duket sot po tentohet të përmbyllet. Projekti është ndërtimi i 6 kullave shumëkatëshe në zemër të Tiranës”.

Pas largimit të këshilltarëve të opozitës kryebashkiaku Veliaj i është përgjigjur akuzave të tyre duke ju thënë se të djathtët kur ishin në pushtet i kanë marrë pronat private me VKM.

“Po dëgjoja çfarë thoshin kolegët e opozitës që mu duk si audicion për teatrin. Me kë bëni teatër? Me ne?Kujt i thonë këta që ju dhemb për pronën publike? Një parti që po të ishte e fuiksuar tek themelimet e partive do të kishte qëndruar tek zyra e vet në Rrugën e Kavajës. Shkoi nga rruga e Kavajës tek Toptani, nga Toptani tek SHQUP-i. E morën me një VKM, çfarë këshilli bashkiak të vendoste për SHQUP-in. Ja morën privatit, familjes Toptani.Ligji ua ka kthyert atyre, janë në gjyq me ta.

Ja vodhën një familje private. Vetë thonë, Robert Ndrenika dhe Luftar Paja aty të rrinë tek tallashi, ndërsa ne do marrim zyra tek SHQUP-i dhe e kanë zyrë partie. Ju kujtohen qendra TEN, nga zyrë e PD së njësisë 10 e rikthyem siç ishte në kohë të Edi Ramës, qendër rinore.

Këta nuk pyesin as për fëmijët. Ata thonë: Bëni si them unë por mos bëni si bëj unë. Vinë këtu, do djegim mandatet. Nuk u dogj asnjë mandat.Asnjë nuk do ta humbë atë 100 mijë lekëshin, edhe pse nuk vinë, vinë vetëm sa për të thënë që erdhëm sa për të marrë lekët. Deri dje thoshin nuk janë 6 mandatet, tani janë.”

Gjithashtu Kryebashkiaku sfidoi opozitën që është i gatshëm të përballet me çdo kandidat për Tiranën, pasi sipas tij asnjë prej tyre nuk ka me çfarë të paraqitet pasi kur ishin në pushtet nuk kanë siguruar asnjë bilanc pozitiv.

Pashë këtë javë që po lançoni kandidatët përballë nesh për vitin tjetër. Të vijë kush të dojë, Dashi, Jorida, Pollo, Paloka, të vijë Luli vetë, Shkelzeni dhe kush të dojë. Po çfarë do thonë? Katër vjet fjetën gjumë, katër vjet nuk vinë në këshill.Edhe 15% që ka u ka mbetur në Tiranë,pyetja është kjo: Çfarë idesh keni për qytetin?”

Bashkia e Tiranës ka akorduar një fond prej 50 mijë euro bashkisë së Athinës për lehtësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga zjarret.

Pas braktisjes së opozitës për të disatën herë Këshilli Bashkiak ka dështuar të miratojë disa vendime të rëndësishme dhe që kanë një efekt të drejtpërdrejtë për kategori të caktuara qytetarësh, përfshi edhe ata në nevojë.

Ndërsa këshilltarja e FRD, Mirela Bogdani, braktisi të majtën për t’u bashkuar me opozitën si kwshilltare e pavarur.

 

Fraksion.com