AktualitetBota+Të fundit

Kina iu vë prangat 15 vetave në lidhje me skandalin e vaksinave

Të paktën 15 zyrtarë të një kompanie kineze të prodhimit të ilaçeve janë arrestuar në lidhje me falsifikimin e të dhënave të një vaksine kundër tërbimit.

Në mesin e ekzekutivëve të ndaluar është kryetari i kompanisë bioteknologjike Changsheng Biotechnology, e cila u urdhërua javën e kaluar që të ndalonte prodhimin dhe të tërhiqte nga tregu vaksinën pasi Administrata kineze e Ushqimit dhe Ilaçeve zbuloi se kompania kishte falsifikuar të dhënat e prodhimit dhe të inspektimit.

Kryeministri Li Keqiang lëshoi një deklaratë të dielën duke denoncuar kompaninë Changsheng për shkelje morale, dhe premtoi se do të “godiste me vendosmëri” çdo veprim që rrezikon sigurinë publike.

Nuk ka njoftime për dëmtime nga vaksina, por lajmi shkaktoi një valë kritikash në mediat sociale.

Changsheng Biotechnology u detyrua të ndalonte prodhimin e vaksinës për difterinë, tetanozin dhe kollën e mirë vitin e kaluar pasi rregullatorët zbuluan se vaksina ishte difektoze.

Kina është duke punuar për të rikthyer besimin në industritë e saj të ushqimit dhe ilaçeve, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, pas një sërë skandalesh gjatë dekadës së fundit mbi produktet e dobëta dhe të prishura, veçanërisht në vitin 2008, kur 300.000 fëmijë u sëmurën nga përdorimi i qumështit pluhur të ndotur me melaminë. Gjashtë nga fëmijët vdiqën.

 

Fraksion.com