AktualitetTë fundit

Tubimet publike, Qendra Europiane për Ligjin: Të thjeshtëzohen hapat për miratimin e tyre

Sipas një raporti të fundit të Qendrës Europiane për Ligjin, Shqipëria gjatë 2016-2017 ka një kuadër ligjor në përputhje të standardeve europiane për të drejtën e tubimit, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e tyre. Mirëpo, sipas raportit, ka ende paqartësi dhe konfuzion në organizimet e tubimeve në sheshe apo vendkalim e publike. Qendra bën të ditur, se sipas vëzhgimit të bërë, në Shqipëri duhet të njihen në ligj edhe tubimet spontane, që aktualisht sanksionohen me ligj; si dhe duhen thjeshtëzuar hapat për miratimin e një tubimi publik.

Vitet e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të rajonit të Partneritetit Lindor ka një rritje të numrit të protestave dhe intensitetit të tyre, e po ashtu edhe shkelje vetë lirive dhe të drejtave themelore lidhur me organizimin e tubimeve. Për të siguruar që të drejtat e lirisë së tubimit të kuptohen më mirë dhe për të fuqizuar përpjekjet advokuese, Qendra Evropiane për Ligjin Jofitimprurës (ECNL) punon me ekspertë vendorë nga nëntë vende (Shqipëri, Armeni, Bjellorusi, Bosnje dhe Herzegovinë, Maqedoni, Moldavi, Mali i Zi, Kosovë, Serbi) në vlerësimine mjedisit ekzistues për tubimet në vendet e tyre përkatëse.

Gjetjet:

Pesë gjetjet kryesore të identifikuara përmes vlerësimit të së drejtës për tubime të lira në
Shqipëri renditen si më poshtë:
1. Kuadri ligjor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri është kryesisht në përputhje me standardet evropiane. Vendi ka ratifikuar shumicën e konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Megjithatë, mbetet e nevojshme përmirësimi i kuadrit ligjor dhe zbatimit të tij në praktikë për të siguruar më tej lirinë e tubimit paqësor në Shqipëri.
2. Ka konfuzion në kuadrin ligjor për organizimin e tubimeve në sheshe dhe në vendkalime publike. Ndërsa në Ligjin për Tubimet parashikohet se organizatorët
duhet të njoftojnë me shkrim Policinë e Shtetit, në Kodin Penal organizimi i tubimeve pa leje nga organi kompetent përbën kundravajtje penale.
3. Tubimet spontane pa njoftim paraprak tek autoritetet publike dhe kundërprotestat nuk njihen në ligjin për tubimet. Ligji është gjithashtu shumë i paqartë sa i takon procedurës së ankimimit dhe apelimit të vendimeve të autoriteteve shtetërore. Nuk jep asnjë udhëzim se si dhe kur duhet të bëhet ankimi dhe/apo apelimi, dhe nuk tregon se cili institucion (Autoritet gjykues) do ta shqyrtojë atë.

4. Pavarësisht rasteve sporadike të shkeljes së të drejtave të njeriut nga ana e Policisë së Shtetit të raportuara gjatë disa protestave në vend, ka përmirësime në administrimin e tyre, ruajtjen e rendit publik dhe respektimin e lirisë për tubime paqësore.
5. Ka komunikim të kufizuar ndërmjet autoriteteve shtetërore dhe organizatorëve para tubimeve, për të krijuar mirëkuptim të ndërsjellë, për të shmangur përplasjet e panevojshme dhe për të parandaluar çdo incident gjatë tubimeve.

Rekomandime:
Për të përmirësuar më tej lirinë e tubimeve në përputhje me standardet ndërkombëtare, propozohen rekomandimet si më poshtë:
1. Të përmirësohet kuadri ligjor (Ligji për Tubimet dhe Kodi Penal) mbi rolin dhe autoritetin e Policisë së Shtetit në lidhje me njoftimin për organizimin e një tubimi në sheshe dhe në vendkalime publike.
2. Kuadri ligjor të sigurojë mbrojtje për të gjithë qytetarët që organizojnë ose marrin pjesë në tubime paqësore, duke përfshirë ato spontane, kundërprotestat dhe tubimet që nuk kanë një organizator të identifikuar, në përputhje me udhëzuesit ndërkombëtarë për lirinë dhe të drejtën për tubime.
3. Kërkesat e njoftimit për tubime të thjeshtohen, informacionet e kërkuara të reduktohen, të jenë relevante për tubimet paqësore dhe të mos jenë penguese.
4. Të gjitha ligjet, rregulloret, politikat, vendimet dhe informacionet e tjera që lidhen me ushtrimin e lirisë së tubimit paqësor duhet të jenë në dispozicion të publikut dhe lehtësisht të aksesueshme.
5. Ligji për tubimet duhet të ofrojë sqarime dhe udhëzime mbi procesin e apelimit ndaj vendimeve të autoriteteve shtetërore lidhur me kufizimet e mundshme të tubimeve.
6. Komunikimet ndërmjet institucioneve përgjegjëse që janë të përfshira në faza të ndryshme të procesit të mundësimit të tubimeve dhe organizatorëve të saj, duhet të rregullohen përmes procedurave ligjore që janë të aksesueshme për publikun.
7. Të bëhet unifikimi i masave ndëshkuese për organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubime në Kodin Penal dhe Ligjin për Tubimet, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

 

Fraksion.com