Trump: Rusia do të ndihmojë demokratët në zgjedhjet e ardhshme
Presidenti i SHBA, Donald Trump, tha të martën se Rusia “do të përpiqet shumë për të ndihmuar demokratët” në zgjedhjet e nëntorit për Kongresin, kundër kandidatëve republikanë të favorizuar prej tij.
Trump shkruante në Twitter se ai është “shumë i shqetësuar se Rusia do të luftojë fort për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme”.
Presidenti shkruante se bazuar në faktin që asnjë President nuk ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë se ai, “ata do të përpiqen shumë në favor të demokratëve. Ata në asnjë mënyrë nuk e duan Trumpin!”
Deklarimet e Presidentit Trump se Moska do të favorizonte demokratët në garat e 6 nëntorit për Kongresin, bie në kundërshtim me përfundimet e komunitetit të zbulimit amerikan se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të 2016-s për të ndihmuar kandidatin Trump të fitonte Shtëpinë e Bardhë.
Në samitin e javës së shkuar në Helsinki me Presidentin rus Vladimir Putin, Presidenti Trump duket se mbështeti mohimin e udhëheqësit rus që Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhje dhe ia kundërvuri deklaratën e Putinit përfundimeve të zbulimit amerikan që thotë se Moska kishte ndërhyrë.
Pasi u kthye në Uashington, zoti Trump tha se ai mbështeste zyrtarët e tij të inteligjencës dhe përfundimin e tyre, shpesh duke i shtuar kësaj deklaratën e tij të zakonshme se fushata e tij nuk bashkëpunoi në mënyrë të fshehtë me rusët dhe se ndërhyrja ruse nuk pati efekt në rezultatin e zgjedhjeve.
Të dielën, megjithatë ai fajësoi ish-Presidentin Barak Obama për mos ndalimin e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje, duke e quajtur këtë një sajesë të madhe.
Zyrtarët më të lartë amerikanë të zbulimit thonë se Rusia po përpiqet përsëri të ndërhyjë në procesin zgjedhor amerikan në nëntor edhe pse zyrtarët e administratës Trump kanë premtuar se do të përpiqen ta ndalojnë këtë.
Republikanët kanë tani shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, por analistët politikë thonë se demokratët mund të marrin kontrollin e njërës ose të dyja dhomave në nëntor. Demokratëve u duhen dy vende për të patur shumicën e Senatit dhe 23 për Dhomën e Përfaqësuesve kur Kongresi i ri të fillojë punën në janar.
Edhe me kontrollin që kanë tani, republikanët kanë pasur vështirësi në miratimin e agjendës legjislative të Presidentit Trump dhe me gjasë do ta kenë edhe më të vështirë nëse demokratët fitojnë më shumë vota.
Nëse demokratët marrin kontrollin e Dhomës, kundërshtarët e Presidentit Trump mund të fillojnë hetime të shumta për administratën e tij dhe të hapin seanca dëgjimore për ta hequr atë nga Shtëpia e Bardhë.
Prokurori i posaçëm Robert Mueller po vazhdon hetimin e tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s, duke hetuar gjithashtu nëse fushata Trump ka bashkëpunuar fshehtazi me Moskën.
Mueller ngriti akuza së fundmi ndaj 12 zyrtarëve të inteligjencës ushtarake ruse për piraterimin e kompjuterave të komitetit demokrat kombëtar.
Fraksion.com