AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Trump dhe avokati i tij flasin për pagesën në një inçizim sekret

Presidenti Donald Trump reagoi pasi rrjetet televizive amerikane transmetuan një inçizim të martën, ku ai dhe ish-avokati i tij, Michael Cohen diskutojnë një pagesë të mundshme për të drejtat e historisë së një modeleje për një marrëdhënie që thuhet se ajo ka pasur me Trump.

Cohen e kishte regjistruar fshehtas bisedën në shtator 2016, kur Trump po kandidonte për postin e presidentit. Avokati i Cohen, Lanny Davis, ia vuri në dispozicion inçizimin CNN-it për transmetim.

Presidenti Trump komentoi në Twitter, duke thënë “Çfarë lloj avokati do të inçizonte një klient?” dhe duke sugjeruar se inçizimi ishte ndërprerë, aty ku ai mund të ishte duke thënë gjëra pozitive.

“Kam dëgjuar se klientë të tjerë dhe shumë gazetarë janë inçizuar. A mund të jetë e vërtetë? Sa keq”, shkruante ai.

Trump ka mohuar vazhdimisht se ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me modelen Karen McDougal, që ia shiti historinë e saj, kompanisë botuese të tabloideve, American Media për 150 mijë dollarë. Asnjë artikull për marrëdhënien e mundshme nuk u pagua.

Në inçizimin e shkurtër, Cohen flet për nevojën e “hapjes së një kompanie për transferimin e gjithë informacionit për mikun tonë, David”, thotë ai dhe ka gjasa që të jetë duke iu referuar mikut të Trump dhe Presidentit të kompanisë “American Media”, David Pecker.

Në një moment Trump pyet se sa duhet paguar: “150 (mijë)”?

Ai përmend gjithashtu një pagesë me para në dorë, por nuk dëgjohet qartë nëse po sugjeron që të paguhet me para në dorë apo jo.

Në prill, FBI-ja bastisi zyrën dhe shtëpinë e Cohen dhe konfiskoi disa inçizime që iu dërguar prokurorëve federalë javën e kaluar.

Presidenti Trump ka shprehur pakënaqësinë e tij me hetimin e  Cohen.

Ai shkruante në Twitter javën e kaluar: “E paimagjinueshme që qeveria të hyjë me force në zyrën e një avokati (herët në mëngjes) – pothuajse e padëgjuar. Edhe më e paimagjinueshme se si një avokat inçizon një klient, e padëgjuar dhe ndoshta e paligjshme. Lajmi i mirë është se presidenti juaj i preferuar nuk ka bërë asnjë gabim”.

Shtete të ndryshme kanë rregulla të ndryshme se kur është e ligjshme të inçizosh një bisedë që në thelb kërkojnë ose njërin ose të dy bashkëbiseduesit, që të japin miratimin e tyre. Në shtetin e Nju Jorkut, ku u bë biseda vetëm njëra palë duhet të japë miratimin, kështuqë Cohen ishte i lejuar ligjërisht që të inçizonte bisedën.

Cohen i pagoi 130 mijë dollarë për të mos folur aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, më pak se dy javë para zgjedhjeve të vitit 2016 , lidhur me një marrëdhënie jashtëmartesore që ajo thotë se pati një natë me zotin Trump në vitin 2006, pak pasi bashkëshortja e zotit Trump, Melania lindi djalin e tyre, Barron.

Muajt e fundit,  Cohen ka thënë se e bëri pagesën me iniciativën e vet. Presidenti Trump ka mohuar që të kishte një marrëdhënie me  Daniels dhe ka thënë se pagesa u bë për të ndalur akuza të rreme nga ana e saj.

 

Fraksion.com