Pacolli: Nuk kemi asnjë notë verbale se ndonjë shtet ka tërhequr njohjen
Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se deri më tash Kosova nuk ka asnjë notë verbale se ndonjë shtet ka tërhequr njohjen.
“Shikoni, ne nuk kemi marrë asnjë notë verbale prej asnjë shteti në botë, ku një shtet në njëfarë mënyre e vë në dyshim mosnjohjen e Kosovës. Normalisht shtetet që e kanë njohur Kosovën e kanë njohur me notë verbale, nota verbale është drejtuar në institucionet e Kosovës dhe si e tillë ka hapur kapitullin e marrëdhënieve të mira të Kosovës me shtetin përkatës”, ka thënë Pacolli.
Ai thotë se Serbia është duke shpenzuar shumë e gjithçka për pengimin e Kosovës për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë.
“Është e vërtet se tani Serbia është duke shpenzuar shumë kohë, shumë mjete, shumë njerëz në botë, duke tentuar të pengojë Kosovën, integrimet e Kosovës , njohjet e Kosovës, kultivimin e marrëdhënieve të mira me shtetet tjera. Kjo mua më brengosë vetëm nga rrafshi human, sa të papërgjegjshëm janë njerëzit dhe që tentojnë vetëm të shkatërrojnë gjëra në botë” deklaroi ai.
Pacolli, në intervistë flet edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe arritjen e një marrëveshjeje të mundshme.
“Duke shikuar kohën në të cilën jemi duke jetuar, ku gjërat ndodhin shpejt, praktikisht unë e shoh se një marrëveshje, një paqe me Serbinë është shumë e nevojshme. Kjo për arsye se gjeneratat e reja, një numër i madh i tyre edhe në Serbi edhe këtu në Kosovë të cilët kanë lindur pas konfliktit, ata nuk duan barrë që të trashëgohet nga e kaluara.
“Për hir të tyre, për hir të qytetarëve dhe për hir të një paqeje në rajon, ne duhet të vëmë në dispozicion çdo mekanizëm që e kemi dhe t’i kontribuojmë dialogut për arsye se asnjëherë problemi në këto troje nuk do të zgjidhet veç me dialog”, tha Pacolli.
Fraksion.com