AktualitetBota+Të fundit

Konferenca e shtypit Trump-Putin, si u shmang një shkëmbim kyç?

Një shkëmbim kyç në konferencën e përbashkët të shtypit të javës së kaluar mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin, nga ana e dokumentimit zyrtar as Uashington as në Moskë

Ndërsa qëndronin pranë njëri-tjetrit pas takimit të tyre të lartë në Helsinki, presidentët Trump dhe Putin iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve amerikanë dhe rusë, ku një nga pyetjet më të rëndësishme u shtrua nga gazetari i agjencisë së lajmeve Reuters, Jeff Mason, lidhur me çështjen e debatueshme nëse Putini donte që Trump t’i fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe nëse ai kishte ndërhyrë për ta ndihmuar zotin Trump që të arrinte në Shtëpinë e Bardhë.

Gazetari amerikan i bëri këtë pyetje udhëheqësit rus, “President Putin, a keni dëshiruar që Presidenti Trump të fitonte zgjedhjet dhe a keni urdhëruar një nga zyrtarët tuaj që ta ndihmonte atë në këtë përpjekje?”

Putin u përgjigj: “Po, e bëra. Po, e bëra sepse ai foli për normalizimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi”.

Por Kremlini e ka përjashtuar të gjithë shkëmbimin nga transkripti i konferencës së shtypit dhe Shtëpia e Bardhë eliminoi pjesën e parë kyçe të pyetjes së gazetarit Mason, nëse Putin donte që Trump të fitonte kundër rivales së tij demokrate, Hillary Clinton.

Presidenti Trump me ngurrim e ka pranuar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, por ai gjithashtu e ka quajtur atë një “mashtrim të madh”. Ai ka hedhur poshtë me forcë çdo akuzë se fushata e tij kishte bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Rusinë, çështje e cila është duke u hetuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller. Prokurori Mueller është duke hetuar edhe çështjen nëse Trump ka penguar drejtësinë, duke u përpjekur të shmangte hetimin.

Të martën, Presidenti Trump tha, pa ofruar asnjë provë, se Rusia po ndërhyn në zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit për Kongres, që do të zhvillohen në nëntor, por për të ndihmuar ligjvënësit demokratë të opozitës, e jo kandidatët republikanë që mbështet ai./VOA

 

Fraksion.com