Erdoğan në Johannesburg do të bisedojë me Putinin për Sirinë
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan njoftoi sot se gjatë takimit me homologun e tij rus Vladimir Putin do të diskutojnë për tema të ndryshme, përfshirë edhe për situatën në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan udhëtoi në një vizitë zyrtare në Republikën e Afrikës së Jugut ku do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Organizatës Ndërkombëtare BRISC ndërsa më pas do të vizitojë Zambinë.
Pak para nisjes në turneun afrikan, Erdoğan iu adresua gazetarëve në aeroportin Esenboğa në Ankara, ku potencoi se në margjinat e Samitit në Johannesburg do të takohet me presidentin rus Putin.
“Situata në Siri, përfshirë rastet Tal Rifat dhe Munbixh, nuk shkojnë në drejtimin e duhur. Vendet e vetme ku situata është e kënaqshme janë Afrini, Jarabulusi dhe Al Bab. Në këto vende është vendosur kontrolli”, ka thënë Erdoğan.
Duke paralajmëruar për përshkallëzimin në rajonet Idlib dhe Deraa, Erdoğan tha se në këto rajone në çdo moment mund të ndodhë çdo gjë, ndërsa Turqia dëshiron që populli sirian të jetë i mbrojtur dhe i sigurtë, veçanërisht sa i përket sulmeve të organizatave terroriste.
Dera është arenë e sulmeve të intesifikuara ajrore dhe tokësore të forcave besnike të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad, kurse nga ky rajon në javët e fundit kanë ikur rreth 350 mijë banorë. Forcat e Assadit duan të marrin këtë rajon i cili shtrihet në kufirin me Jordaninë.
Në Johanesburg deri të premten do të mbahet Samiti i Organizatës BRICS, me pjesëmarrje të Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Republikës së Afrikës së Jugut. Kjo është një organizatë, anëtarët e së cilës e përbëjnë një të pestën e ekonomisë globale, ndërsa prania e Erdoğan-it në samit do të jetë kontakti i parë zyrtar me organizatën në fjalë.
Në margjina të samitit do të mbahen disa takime dypalëshe dhe shumë palëshe, përfshirë edhe takimin Erdoğan-Putin.
Fraksion.com