Kosovë: Pushteti dhe opozita ende larg konsensusit
Konsensusi i synuar dhe gjithëpërfshirja për fazën finale të dialogut me Serbinë mbetet ende larg. Asnjë nga partitë opozitare nuk i është përgjigjur takimit të thirrur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, për të arritur pajtimin. Partitë opozitare kanë treguar kushtet e tyre për t’u bërë pjesë e këtij procesi.
Në takimin e thirrur nga kreu i PDK-së kanë marrë pjesë vetëm kryeministri Ramush Haradinaj, njëherësh kryetari i AAK-së, si dhe zëvendëskryeministrat që janë edhe drejtues të partive. Veseli ka thënë se takimet e tilla i ka kërkuar edhe opozita, por që tani po refuzon të marrë pjesë. Sipas tij, të bisedosh me Serbinë nuk është privilegj, por sakrificë politike, shkruan sot Koha Ditore.
“Me Serbinë duhet biseduar për hir të fëmijëve tanë dhe sakrificës për ta ruajtur këtë që e kemi arritur deri më tani. Ky është obligim dhe përgjegjësi e gjithë spektrit politik. Mesazhi që duhej ta dërgonim do të ishte mesazhi i unitetit konsistent se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe sovraniteti është i pacenueshëm”, ka thënë Veseli.
Ai ka shtuar se Kuvendi i Kosovës do të ketë rol vendimtar në procesin e dialogut. Sipas Veselit, mungesa e lidershipit tek opozita ka krijuar situatën ku nuk ka ende pjesëmarrje direkte të tyre në dialog.
Fraksion.com