3 kandidatët që propozon qeveria për në Gjykatën e Strasburgut
Qeveria publikon emrat e 3 kandidatëve për pozicionin e gjyqtarit të Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), si shkak i mbarimit të mandatit të gjyqtarit aktual të Shqipërisë.
Tre kandidatët janë: Darian Pavli, Marjana Semini dhe Sokol Berberi.
Emrat janë përzgjedhur mes 16 aplikantëve nga komisioni AD-HOC .
Komisioni bëri më herët vlerësimet për çdo kandidat, bazuar në një sistem pikëzimi prej 100 pikësh, 30 pikë për dosjen e çdo aplikanti dhe 70 për intervistën.
Kush janë tre kandidatët?
Darian Pavli – jurist me 15 vjet përvojë në disenjimin, koordinimin dhe zbatimin e aktiviteteve që promovojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Nju-Jork, Tiranë (Open Society Justice Initiative, Human Rights Watch), përfshirë rajonin e Këshillit të Evropës; ekspert ligjor pranë EURALIUS V; këshilltar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar i Reformës në Drejtësi; përfaqësues i disa çështjeve në GJEDNJ.
Marjana Semini – juriste me përvojë të spikatur në fushën e së drejtës; mbajtëse e titullit “Profesor i asociuar”; profesore e brendshme në Shkollën e Magjistraturës për 20 vjet dhe drejtore e saj (2009-2013); eksperte e lartë e Komisionit të Reformës Ligjore, si dhe e organizatave të huaja (USAID, BB, UNESCO, BERZH etj.); specializime për të drejtat e njeriut, autore dhe bashkautore e disa botimeve.
Sokol Berberi – jurist me përvojë të spikatur në fushën e së drejtës; anëtar i Gjykatës Kushtetuese (prill 2007 – shtator 2016); mbajtës i titullit “Doktor”; profesor në disa disiplina të së drejtës; kontribuues në përafrimin e legjislacionit shqiptar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut etj.
Fraksion.com