AktualitetTë fundit

Vettingu, gjyqtari Dvorani, DSIK: S’ka dyshime për përfshirje në korrupsion

Në KPK është duke u mbajtur seanca dëgjimore për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani. Trupa gjykuese e KPK përbëhet nga Roland Ilia, Etleda Çiftja dhe Firdes Shuli.

Sa i përket elementit të pasurisë, sipas KPK rezulton me një apartament banimi 120 m2, i blerë në 2001 me vlerë 31 mijë dollarë, në bashkëpronësi me bashkëshorten. Gjyqtari i lartë ka të ardhura për blerjen e kësaj pasurie. Gjithashtu, një apartament 104.3 m2 i privatizuar në 1993, i deklaruar nga babai i gjyqtarit. I justifikuar. Autoveturë Scoda 2016 i blerë me “leasing”. Një hua 1 milionë e 350 mijë lekë nga prindërit. Sipas KPK, huaja është deklaruar me burim nga shpërblimi i dhënë nga Gjykata e Tiranës. Likuiditetet e familjes me vlere 9. 9 milionë lekë, Dvorani i ka deklaruar në deklarimet periodike, por nuk i ka deklaruar në Vetting. KPK thotë se ILDKPKI përpara se të hartonte raportin duhet ta thërriste subjektin dhe ta pyeste për sa kohë gjyqtari i lartë ka thënë që është një harresë për shkak të punës, sepse siç rezulton, ai i ka deklaruar në vite këto likuiditete.

Gjyqtari Dvorani është shprehur se pajtohet me gjetjet e KPK, ndërsa shton se nuk është thirrur nga ILDKPI për likuiditetet.

“Pajtohem me gjetjet e KPK, që bazuar në hetimin e thelluar administrativ, me të drejtë është gjetur ndonjë pasaktësi. Është konstatuar që bashkëshortja dhe prindërit kanë likuiditete. Pajtohem me gjetjet. Është fakt që bazuar në informacionin bankar, unë, bashkëshortja dhe prindërit kemi likuiditete. Më rezulton se ILDKPI, gjatë kësaj kohe nuk ka patur asnjë lloj komunikimi. Dua të veçoj se nuk më kanë thirrur asnjëherë nga ILDKPKI, por ligji ia ngarkon inspektoratit këtë detyrim”, tha gjyqtari.

Sa i përket komponentit të dytë të Vettingut, DSIK thotë që Ardian Dvorani ka përshtatshmëri në detyrë dhe se nuk ka asnjë dyshim për përfshirje në korrupsion.

 

Fraksion.com