Sekuestro pasurive të Llallës
Në Shqipëri, Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi sot se disa pasuri të e ish Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla janë vënë nën sekuestro preventive. Bëhet fjalë për një apartament 67 metra katrorë në Durrës, dhe katër parcela tokë arë në Tiranë, me një sipërfaqe të përgjithshme prej më shumë se 22 mijë metra katrorë. Sipas Prokurorisë “janë krijuar dyshime të arsyeshme se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla përbëjnë produkt të veprës penale”.
Masa e sekuetros, me urdhër të Gjykatës së Krimeve të Rënda, u mor në kuadër të hetimeve të nisura ndaj ish Kryeprokurorit që prej 15 marsit, për të paktën 4 vepra penale, atë të ‘Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurisë , interesave private të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim’, ‘Mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi’, ‘Pastrimit të produkteve të veprës penale’ dhe të ‘Shpërdorimit të detyrës’. Hetimet nisën fillimisht në Prokurorinë e Durrësit, por më pas u transferuan në Prokurorinë për Krimet e Rënda në Tiranë.
Llalla u largua nga detyra në fillim të Dhjetorit të kaluar, në përfundim të mandatit, ndërsa zëvendësimi i tij me një drejtues të përkohshëm, zonjën Arta Marku u shoqërua me polemika të forta dhe kundërshtime nga ana e opozitës, sipas së cilës qeveria po vendoste kontrollin mbi Prokurorinë. Gjatë vitit të fundit të tij në detyrë, zoti Llalla pati përplasje pubike me ambasadën amerikane. Atij ju refuzua viza për në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ambasadori amerikan e akuzoi hapur se prej kohësh ishte angazhuar kundër Reformës në Drejtësi. Për largimin e tij nga detyra ambasada amerikane u shpreh se “Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur”. Në muajin Shkurt të këtij viti Departamenti i Shtetit njoftoi se i kishte ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara ish Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, duke shpjeguar se Sekretari i atëhershëm i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.
Fraksion.com