AktualitetOp-EdTë fundit

Politika e jashtme gjermane në kohë kritike për multilateralizmin

Në politikën e jashtme koalicioni konservator me socialdemokratët vazhdon të ndjekë rrugën e bashkëpunimit dhe ujdisë. Por gjithnjë e më shumë shtete po ndjekin axhendën kombëtare. BE rrezikohet nga forca centrifugale.

Se ku do të kalojë pushimet kancelarja Merkel, në Ishia apo Uckermark-këtë ajo e la të hapur. Jeta e saj private nuk ka rëndësi për republikën, la të kuptohej ajo në konferencën e fundit para pushimeve të verës. Aq mirë mirë dihet axhenda e ministritt të Jashtëm, Heiko Maas. Të hënën ai zhvillon bisedime me ministrin e ri të Jashtëm të Britanisë së Madhe, Jeremy Hunt dhe më vonë me atë italian, Enzo Moavero Milanesi. Të dy ministrat kanë ardhur në poste pas tronditjeve politike në vendet e tyre. Qeveria britanike nuk gjeti dot ujdi për Brexit, kështu që paraardhësi i Hunt, Boris Johnson dha dorëheqjen. Ndërsa Moavero Milanesi përfaqëson një qeveri, që ndjek një kurs të ri të ashpër në politikën ndaj refugjatëve. Të dyja vendet preferojnë tani kursin nacionalist që dallon dukshëm nga ai i ujdisë dhe bashkëpunimit që ndjek qeveria gjermane. Për Heiko Maas nuk duhet të jenë bisedime të lehta. Në axhendë duhet të jetë një politikë e hapave të vegjël, larg asaj politike që solli ndryshimet e mëdha në Europë – heqja e kufijve të brendshëm, futja e euros, shenjat e para të një politike të jashtme të përbashkët.

Shtetet e BE: Divergjenca dhe të përbashkëta

A ka të bëjë edhe politika e qeverisë gjermane me këtë esëllim? Ka gjasa, thotë Daniela Schwarzer, drejtoreshë e Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme në bisedë me Deutsche Wellen. Gjermania u kritikua shumë për politikën e saj liberale ndaj refugjatëve në vitin 2015. Ndoshta qeveria gjermane nuk e ka bërë shumë të qartë, që krahas arsyeve humanitare, ka luajtur rol edhe një mendim tjetër, për të ndaluar që brenda BE të vendoseshin kufijtë e brendshëm. Edhe Gjermania i kuptoi me shumë vonesë interesat e shteteve në brigjet e Mesdheut dhe nuk ia doli bashkë me partnerë të tjerë të bëjë një ndarje të drejtë të barrës.

  „Kjo ka çuar në tensione brenda BE. Por duhet parë që mes Gjermanisë dhe Francës, e bashkë me vendet skandinave ka qëndrime të përbashkëta.” Ka një ujdi që lëvizjet e refugjatëve duhet të kontrollohen, që migracioni legal është bazë e të drejtës së azilit dhe se duhet bashkëpunuar më ngushtë për të siguruar kufijtë e jashtëm dhe shpërndarjen e refugjatëve. Ka zëra, nëse kursi i refugjatëve të qeverisë gjermane pati ndikim edhe në vendimin e britanikëve për Brexit. Në paraqitjen e saj në qershor në emisionin  „Anne Will”, kancelarja gjermane solli edhe një aspekt tjetër. „Por këtë e dimë edhe nga vendi ynë, kur grupime njerëzish ndjehen të mënjanuar”, pra atëherë ata votojnë parti populiste.” Këtë ajo e tha duke pasur parasysh zgjedhjen e Donald Trump, por kjo mund të vlejë po ashtu edhe për Brexit.

Politika e brendshme përcakton atë të jashtme

E qartë është: Situata e brendshme politike e një vendi ka pasur gjithmonë ndikim edhe në politikën e jashtme Dhe pasojat e saj kanë dhënë efektet e tyre në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur. Edhe rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Itali ka lidhje me pakënaqësinë e qytetarëve në politikën e brendshme. Situata ekonomike vështirësohet dhe tregu i punës bëhet i padepërtueshëm. Vetëm në vitin 2016 nga Italia janë larguar 50.000 të rinj. Shumë italianë i kanë humbur shpresat e lidhjes së interesave të tyre italiane me ato europiane. „Nuk e di më kush jam”, kështu e përshkruan sociologu Marco Revelli ndjesinë e jetës së italianëve në librin e tij, një udhëtim nëpër Italinë e ndryshuar.

 

Europa si prizëm

Përvoja të tilla kanë ndikim në politikën e jashtme, jo vetëm të Italisë, por edhe vendeve të tjera. Përkitazi me këtë është bërë shumë e vështirë të formësosh një politikë të përbashkët europiane si me partnerët ashtu edhe me SHBA. Ka forca centrifugale në BE, thotë Daniela Schwarzer. „BE i njeh konfliktet jug-veri po ashtu lindje-perëndim. Prandaj politika e jashtme gjermane për Europën duhet të përqëndrohet për të forcuar e mbajtur të bashkuar BE brenda saj.”

Kjo kërkon edhe ridimensionimin e pozicioneve të deritanishme. „BE, ashtu si edhe NATO janë si më parë prizmat, përmes të cilave Gjermania e sheh politikën e saj të jashtme, të mbrojtjes dhe sigurisë.” Por në marrëdhëniet ndërkombëtare ka dalë në pararojë paradigma e konkurrencës strategjike, pas dekadash kur bëhej fjalë për forcimin e institucioneve europiane e ndërkombëtare si kuadër orientimi për bashkëpunimin mes qeverive. Madje kur edhe një partner si SHBA e sheh si konkurrente e madje në disa fusha si kundërshtare BE, duhet që Gjermania dhe Europa të nxjerrin konkluzionet e tyre nga kjo.”

“Kur bisedohet është mirë për të gjithë”

Kancelarja gjermane i prek këto probleme sipas mënyrës së saj: Me heshtje dhe në mënyrë diskrete. Pozicioni i saj parimor u qartësua edhe në konferencën e shtypit: „Gjithmonë kur bisedohet është mirë për të gjithë”, tha ajo për të konkretizuar se „ajo që ka qenë gjithmonë e rëndësishme për mua, gjithmonë në punën time politike, ka qenë multilateralizmi, bindja e thellë se kur punojmë së bashku, kemi situata win-win,(përfitimi të dyanshëm), pra mund të kemi avantazhe për të gjithë- gjë që për momentin nuk është parim sundues. Por vetëm kështu mund të ecim përpara.”

Në shumë vende të BE, ky qëndrim është jo popullor. BE për një pjesë të qytetarëve nuk është legjitime, ata nuk identifikohen me të dhe kanë ndjesinë se nuk i dëgjon njeri. Ky qëndrim është ushqim për partitë populiste, për të sulmuar me premtimin, se ata dëgjojnë interesat e qytetarëve me kthimin tek nacionalja. Por këtu qëndron paradoksi, thotë eskpertja Daniela Schwarzer. Sfidat e mëdha si klima, migrimi, siguria nuk mund sot të zgjidhen më vetëm brenda kuadrit kombëtar. Edhe rinacionalizimi dhe shpërbërja e rendit ekonomik europian e botëror do të çonte në disavantazhe të mëdha. Kjo është sfida për Europën sot, thotë ajo: T‘u japë qytetarëve sërish ndjesinë se BE është më shumë hapësirë mbrojtëse dhe jo kërcënim dhe se BE ka vlefshmëri ndërkombëtare vetëm kur është e bashkuar. Në këtë drejtim duhet të punojë politika gjermane./ Kersten Knipp .DW

 

Fraksion.com