Nuk ka konsensus politik për fazën finale të dialogut me Serbinë
Udhëheqësit e partive në pushtet thonë se arritja e konsensusit politik për dialogun me Serbinë duhet bërë për hir të sakrificës dhe gjeneratave të reja. Opozita nuk pranon të përfshihet në grupin e unitetit.
Ulja në tavolinën e bisedimeve me Serbinë është sakrificë dhe jo privilegj
“Konsensusi i brendshëm ka qenë një traditë e mirë qe e kemi pasur dhe rezultatet janë historike. Në takimin e sotëm kanë marrë pjesë vetëm përfaqësuesit e pozitës. Kërkesa e sotme ka qenë më shumë kërkesë e opozitës, për çka duhet publikisht të falënderoj ambasadorin e Amerikës dhe përfaqësuesen e BE-së për iniciativat”, tha kryeparlamentari Veseli në një konferenncë për medie. Sipas tij, “ulja në tavolinën e bisedimeve me Serbinë është sakrificë dhe jo privilegj dhe mesazhi që duhet të dërgohet nga Prishtina duhet të jetë uniteti”.
“Me Serbinë duhet biseduar për hir të fëmijëve tanë dhe sakrificës për ta ruajtur këtë që e kemi arritur deri më tani. Ky është obligim dhe përgjegjësi e gjithë spektrit politik. Mesazhi që duhej ta dërgonim do të ishte mesazhi i unitetit konsistent se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe sovraniteti është i pacënueshëm”, theksoi Kadri Veseli, duke shtuar se Kuvendi i Kosovës është organi që do të ketë rol vendimtar në procesin e dialogut.
Kryetari i kuvendit tha se në radhët e disa partive opozitare ka mungesë lidershipi, ndërsa një pjesë e opozitës sipas tij, ka pranuar që të përfshihet në dialog. “Në emër të patriotizmit po krijohet një populizëm, me qëllm të përfitimit. Qëllimi i takimit ka qenë të krijohet formati dhe vijat për të cilat duhet të diskutohet në dialog”, tha Kadri Veseli.
Kritikat e Albin Kurtit për dialogun
Nga ana tjetër është lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti i cili është kategorik kundër përfshirjes në grupin e unitetit, sikundër që është kundër që dialogu të udhëhiqet nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në një postim të rrjetin social, ai renditi disa pika siç thotë për dialogun në Kuvend. “Kuvendi i Kosovës nuk ka pse flet për dialog të ri kur ne deputetët nuk e diskutuam dialogun ‘e vjetër’. Nuk bën të vrapohet në dialog të ri me Serbinë pa shqyrtuar premisat, procesin, marrëveshjet, zbatimet si dhe rezultatet e dialogut 2011-2017. Në Kuvend të Kosovës nuk duhet të diskutohet për ecurinë e dialogut të ri dhe siguresat e tij, pa e marrë së pari qeveria barrën e provës së argumentimit pse na nevojitet ky dialog mu tash dhe çka është domethënia e tij, thotë Albin Kurti.
Albin Kurti akuzon Serbinë për shumë krime të bëra në Kosovë, ndërsa, në fazën e dialogut ai thotë se “Kuvendi i Kosovës duhet që paraprakisht të diskutojë dhe miratojë kërkesat e Republikës së Kosovës ndaj Republikës së Serbisë”.
“Pa mandatin e Kuvendit të Republikës, presidenti aktual e nisi dialogun e ri me Serbinë. Shpërfilli karakterin e republikës sonë parlamentare dhe jo vetëm. Thaçi takoi Vuçiqin e Serbisë pak ditë pasi takoi Medvedevin e Rusisë me ç’rast deklaroi “Kryeministrin Medvedev shkurtimisht e informova për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon.” Presidenti nuk duhet të jetë informatori”, thotë Albin Kurti duke e cilësuar insistimin e Presidentit Thaci për “grup uniteti”, si një “aventurë personale të presidentit”.
LDK: Më parë duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme
Edhe partia tjetër opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk po pranon të përfshihet në grupin e unitetit për dialog me Serbinë. Shefi i grupi parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se LDK vazhdon të mbajë qëndrimin se “para se Kosova të hyjë në fazën finale të dialogut me Serbinë, këtu duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme”.
“Këto institucione nuk kanë legjitimitet për të udhëhequr me dialogun, aq më tepër kur Qeveria e ka humbur shumicën në Kuvend, kurse presidenti nuk ka mandat që të udhëheqë me dialogun. Në parim, LDK-ja qëndron si parti për dialog, sepse është e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur çështjet, por dialogu duhet të zhvillohet nga institucionet që janë legjitime. Për momentin nuk ka institucione legjitime që mund të udhëheqin me këto procese të rëndësishme”, është shprehur shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti.
Sidoqoftë, Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011, ndërsa tash të dy vendeve po u kërkohet që të arrijnë një marrëveshje përfundimtare që do t’u mundësonte integrimin në BE. Në takimin e fundit që dy presidentët zhvilluan në Bruksel Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuciq, megjithëse u shprehen për takim të vështirë, ata u pajtuan që “të intensifikojnë punët në javët në vazhdim”, në kërkim të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Këtë marrëveshje po e kërkon edhe Bashkimi Evropian./DW
Fraksion.com