AktualitetRajoniTë fundit

Maqedoni: Marrëveshje për qeveri teknike, por jo për referendum

Partitë në pushtet në Maqedoni kanë pranuar formimin e një qeverie teknike para referendumit të pritshëm për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Ky model do të praktikohet para të gjitha zgedhjeve parlamentare.

Ndërkohë, drejtuesit e partive kryesore të pushtetit dhe të opozitës pas më shumë se tetë orë diskutimesh nuk arritën të afrojnë qëndrimet në lidhje me pyetjen që do të shtrohet në referendum, për karakterin e tij dhe për datën kur duhet të mbahet referendumi.

Kryeministri Zoran Zaev, i cili është dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate, u tha gazetarëve se qeveria e pranoi shumicën e kushteve të opozitës për shkak të interesave kombëtare.

Z. Zaev shprehu bindjen se Maqedonia do të jetë anëtare e Natos dhe e BE-së, ndërsa akuzoi rivalin e tij politik për çështjen e referendumit.

“Mickovski nuk ka pranuar t’u bëjë thirrje përkrahësve të partisë së tij që të dalin në referendum dhe të votojnë sipas bindejeve të tyre. Mickovski gënjen kur thotë se dëshiron anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO”, akuzoi kryeministri Zaev.

Në qeverinë teknike do të marrë pjesë edhe VMRO-DPMNE-ja e cila aktualisht është partia më e madhe opozitare.

Zoran Zaev (LSDM), Hristijan Mickovski (VMRO-DPMNE), Ali Ahmeti (BDI) dhe Bilall Kasami (Lëvizja BESA), nga ana tjetër kanë rënë dakord për formimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që duhet të organizojë referendumin dhe për Kodin zgjedhor, që duhet të votohet nga shumica prej dy të tretave në parlament. Po ashtu katër drejtuesit partiakë janë marrë vesh për mënyrën e financimit të partive.

KSHZ-ja do të formohet ashtu si edhe më parë dhe jo me një shumicë të thjeshtë prej 61 votash të ligjvënësev siç planifikonte fillimisht shumica parlamentare.

Referendumi për ndryshimin e emrit të Maqedonisë duhet të mbahet këtë vjeshtë. Në bazë të marrëveshjes me Greqinë, emri i ri i republikës ish-jugosllave do të jetë “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

 

Fraksion.com